Duke rikonfirmuar rritjen e pagave për arsimtarët, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka detajuar ndryshimet konkrete që do të pësojë paga e mësuesve të arsimit 9-vjeçar. Rritje, e cila do tw bëhet në dy faza, e para që nis në maj të këtij viti, si dhe rritja e dytë që do të ndodhë në vitin 2024.
Nëpërmjet një postimi të bërë në Facebook, MAS sqaron se paga e një mësuesi të arsimit të mesëm të ulët në maj të këtij viti shkon në vlerën e 69,624 lekëve. Ndërkohë që në vitin 2024 paga e re për këtë kategori mësuesish do të jetë 80,581 lekë.
“Pagat e reja, falë të cilave paga mesatare në Shqipëri thuajse dyfishohet duke arritur majën historike të 900 Eurove në 2024, janë fryt i një përpjekjeje të gjatë, këmbënguljeje e durimi të madh për reforma të vështira e masa të domosdoshme për ekonominë dhe për financat tona, rritjeje të të ardhurave falë rritjes së ekonomisë, tregtisë, investimeve publike e private, rritjes së prodhimit e të eksporteve, modernizimit të sistemit të mbledhjes së taksave përmes kompjuterizimit të transaksioneve në kohë reale, lehtësimit e rritjes së shpejtësisë së shërbimeve për biznesin falë digjitalizimit të tyre, forcimit të shtetit në tërësi dhe uljes së ndjeshme të korrupsionit në tatime e dogana, po mbi të gjitha, pagat e reja janë fryt i punës sonë të përbashkët, të çdo shqiptari e shqiptareje, që në shtet a në privat, kontribuon për ekonominë shqiptare me punën e vet”, shkruhet në postimin e bërë nga MAS nw Facebook


