Para nisjes së studimeve, studentët e mjekësisë duhet të firmosin kontratë për të punuar të paktën 3 vite në atdhe, pas përfundimit të studimeve duke i mbajtur peng diplomën, ose në të kundërt do paguajnë tarifën vjetore të shkollimit, me koston reale, vlerë e cila ende nuk është përcaktuar.

Për të frenuar eksodin e mjekëve drejt Gjermanisë, qeveria mund të bëje shumë shpejt gati një paketë masash për të stimuluar mjekët e rinj të qëndrojnë në Shqipëri. Para nisjes së studimeve, studentët e mjekësisë duhet të firmosin kontratë për të punuar të paktën 3 vite në atdhe, pas përfundimit të studimeve duke i mbajtur peng diplomën, ose në të kundërt do paguajnë tarifën vjetore të shkollimit, me koston reale, vlerë e cila ende nuk është përcaktuar.

Në një komunikim me gazetaren e Report Tv, Enxhi Musaj, rektori i universitetit të mjekësisë Arben Gjata, një nga pjesëtarët e grupit të punës, thotë se gjithçka është në proces diskutimi dhe ende nuk ka një nismë konkrete. Ai thotë se asnjë mjek nuk do të mbahet kundër vullnetit, por dhe shteti nuk do të shpenzojë më për ata që duan të largohen. Gjata tha se kostoja reale për një student të universitetit të Mjekësisë mund të shkojë rreth 3000 euro.

Një nismë e tillë që ende nuk është bërë konkrete, u paralajmërua nga kryeministri Rama në Kongresin e parë të Shëndetësisë të mbajtur nga Ministria e Shëndetësisë në fillim të këtij muaji.