Kardiologjia, endokrinologjia, pediatria, obsetrikë-gjinekologjia, kirurgjia dhe dermatologjia, janë gjashtë degët më të preferuara, në të cilat të diplomuarit në mjekësi preferuan të vijonin ciklin e tretë të studimeve të specializimit afatgjatë.

E ndërsa përzgjedhja e fituesve të rinj për vitin akademik 2022-2023 tashmë ka përfunduar, autoritetet e dikasterit të shëndetësisë bëjnë me dije se këto profile rezultuan të jenë ndër degët më të pëlqyera për të vijuar specializimin. Aktualisht po vijon procesi i regjistrimit të fituesve sipas programit në të cilin janë pranuar. Një ditë më parë autoritetet e Fakultetit të Mjekësisë bënë me dije se procesi i regjistrimeve do të vijojë deri në datën 24 prill.

Autoritetet e shëndetit kanë bërë me dije se, në këto 8 vite të rihapjes së specializimeve, janë më shumë se 2 mijë kuota të hapura për mjekë specialistë.

Po ashtu, rritja e pagave të mjekëve specializantë është pjesë e planit dy-vjeçar të rritjes së pagave për stafet mjekësore. Përgjatë katër viteve të studimeve afatgjatë, mjekët specializantë paguhen nga shteti me 80 për qind të pagës së mjekut specialist. Me rritjen me 50,000 lekë të pagës së mjekut specialist, rriten edhe pagat e mjekëve që janë në proces specializimi.

Pjesë e planit të rritjes së pagave janë edhe mjekët e përgjithshëm dhe infermierët, pagat e të cilëve u rritën me 7 për qind, ndërsa vitin e ardhshëm do të ketë një rritje të targetuar të pagave për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët në të gjithë sistemin shëndetësor publik.