Viti i ri akademik 2020-2021 pritet të zhvillohet online. Kur duhen dhe pak ditë të nisë zyrtarisht mësimi në universitete, tashmë disa prej senateve të fakulteteve në Universitetin e Tiranës e kanë marrë vendimin për të mos e nisur vitin e ri akademik në auditore.

Një prej tyre, fakulteti i Mjekësisë ka konfirmuar se leksionet në këtë fakultet do të jenë online ndërsa seminaret në auditore.

Po ashtu dhe fakulteti i Shkencave Sociale është drejt mësimit online, por duket se senati është ende në dilemë për të vendosur përfundimisht.
Senati i fakultetit të Mjekësisë është ndër të parët që vendosi të kryejë mësimin online. Një nga anëtarët e tij i konfirmoi “Shqip” se një pjesë e senatit ishte për zhvillimin e mësimit me turne, por vështirësia në staf dhe në infrastrukturë bëri që me unanimitet të jenë pro mësimit nga shtëpia.
Sipas burimit nga fakulteti i Mjekësisë, një nga pengesat për zhvillimin normal të mësimit ishte dhe zhvillimi i praktikës që studentët e Mjekësisë duhet ta zhvillonin në spital.
Por si pasojë e pandemisë kjo do të jetë e pamundur. Në një prononcim për gazetën “Shqip”, Luan Lapraku nga drejtoria e financës në Universitetin e Tiranës tha se bordi i drejtuesve të universitetit po sheh të gjithë skenarët e mundshëm.

Lapraku tha se Universiteti i Tiranës po bën gati infrastrukturën për përmirësimin e rrjetit të internetit për të mundësuar platformën online për të gjitha fakultetet e saj.
“Ne jemi duke parë të gjitha mundësitë, kemi nisur përgatitjet për platformën online, por jemi në pritje të një vendimi të ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Shëndetësisë”, u shpreh përfaqësuesi i Universitetit të Tiranës.
Ndërkohë që disa universitete private e kanë zgjidhur prej kohësh këtë. Kështu, universiteti “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë ka njoftuar studentët se edhe këtë vit të ri akademik, mësimi në këtë universitet do të zhvillohet online pasi stafi akademik vjen nga Italia dhe janë profesionistë të shëndetit. Me angazhimin e tyre në profesion, shihet e pamundur ardhja e tyre në Tiranë.
 Gazeta Shqip