Ministria e Arsimit informoi sot se viti i ri akademik 2026-2027 në institucionet e arsimit të lartë në vend do të nisë më datë 5 tetor 2026 dhe do të përfundojë më datë 24 shtator 2027.
Në urdhrin e firmosur nga ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, përcaktohet kalendari akademik 2026–2027 për institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri.
Në dokument cilësohet se universitetet publike, pas përfundimit të regjistrimeve të kandidatëve fitues, duhet të shpërndajnë në të gjitha njësitë përkatëse “Trajtimi i studentit”, si edhe listat me emrat e studentëve të regjistruar sipas programeve të studimit dhe fakulteteve.
Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohen Sekretari i Përgjithshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Zhvillimit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe institucionet e arsimit të lartë.



