Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 26 Dhjetor 2018:
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
PUNËSIMIN E STUDENTËVE TË EKSELENCËS NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE JASHTË SHËRBIMIT CIVIL, PËR VITIN 2019
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Për vitin 2019, pozicionet vakante specialist dhe të barasvlefshëm në institucionet e administratës shtetërore jashtë shërbimit civil të plotësohen me prioritet nga studentët e ekselencës të diplomuar duke filluar nga viti 2017 e në vijim, nëpërmjet punësimit të tyre me kontratë të përkohshme 1 (një)-vjeçare. Përjashtohen nga ky rregull pozicionet e kësaj kategorie për të cilat legjislacioni specifik përcakton kritere të posaçme në lidhje me vjetërsinë dhe zotërimin e certifikimeve të ndryshme.
2. Në kuptim të këtij vendimi, me termat e mëposhtëm nënkuptojmë:
a) “Institucione të administratës shtetërore jashtë shërbimit civil”, institucionet e varësisë së Kryeministrit apo ministrave, për të cilat marrëdhëniet e punësimit të nëpunësve/punonjësve rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës;
b) “Studentë të ekselencës”, studentët të cilët kanë përfunduar studime universitare në secilin prej cikleve të arsimit të lartë me mesatare 9.00 – 10.00 ose ekuivalent, në:
i. institucionet e arsimit të lartë jashtë Shqipërisë;
ii. institucionet e akredituara të arsimit të lartë publik apo institucionet /programet e akredituara të arsimit të lartë jopublik në Republikën e Shqipërisë.
3. Procesi i përzgjedhjes dhe emërimit menaxhohet nga Kryeministria, ministritë e linjës dhe institucionet e tyre të varësisë.
4. Kryeministria dhe ministritë e linjës shpallin publikisht në faqet e tyre zyrtare, thirrjen për shprehjen e interesit të studentëve të ekselencës që duan të punësohen përkohësisht në institucionet e tyre të varësisë, sipas kërkesës së këtyre të fundit, përkatësisht brenda muajit janar 2019 dhe muajit gusht 2019.
5. Shpallja publike për shprehjen e interesit sipas pikës 4, të këtij vendimi, përmban këto të dhëna:
a) Pozicionet vakante, të grupuara bazuar në kriterin e nivelit dhe llojit të diplomës (fusha e studimit) që kërkon pozicioni i punës;
b) Dokumentet që duhet të dorëzohen dhe mënyrën e dorëzimit të tyre;
c) Mënyrën dhe afatin e dorëzimit, të përcaktuar me datë të saktë kalendarike;
ç) Mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve;
d) Datat e daljes së rezultateve;
dh) Mënyrën e njoftimit dhe të komunikimit me kandidatët.
6. Dokumentacioni duhet të dorëzohet pranë Kryeministrisë apo ministrisë që ka bërë shpalljen publike në mënyrën e përcaktuar në të, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike nga dita e parë e shpalljes në faqen përkatëse zyrtare.
7. Kryeministria/ministritë, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve pune nga përfundimi i afatit të dorëzimit të dokumentacionit, bazuar në mesataren e studentëve të cilët kanë shprehur interesin sipas pikave 5 e 6, të këtij vendimi, krijojnë listat përkatëse duke i renditur ata për secilin nga grupet e përcaktuara në pikën 9, të këtij vendimi, dhe për secilin nga grupet e pozicioneve të krijuara mbi bazën e kriterit të nivelit dhe llojit të diplomës që kërkon pozicioni i punës. Studentët, të cilët kanë diplomë të niveleve më të larta se ai që kërkon pozicioni i punës, renditen në të gjitha grupet e pozicioneve të fushës përkatëse të studimit, pavarësisht nivelit të diplomës të kërkuar për grupin përkatës.
8. Kryeministria/ministritë, brenda 48 (dyzet e tetë) orëve nga krijimi i listave sipas pikës 7, të këtij vendimi, i publikojnë ato në faqet respektive zyrtare.
9. Brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e krijimit të listave sipas pikës 7, të këtij vendimi, Kryeministria/ministritë thërrasin studentët të cilët, duke filluar nga ai me mesatare më të lartë brenda grupit përkatës, përzgjedhin pozicionin ku duan të emërohen në mënyrë të përkohshme. E drejta e përzgjedhjes është sipas precedencës, si më poshtë vijon:
a) Studentët e diplomuar në institucionet e arsimit të lartë në një nga vendet anëtare të OECD-së ose BE-së;
b) Studentët e diplomuar në institucionet e akredituara të arsimit të lartë publik në Shqipëri;
c) Studentët e diplomuar në institucionet/programet e akredituara të arsimit të lartë jopublik në Shqipëri dhe studentët e diplomuar në vende të tjera jashtë Shqipërisë, të ndryshme nga vendet e OECD-së ose BE-së.
Diplomat e përfituara jashtë vendit duhe të jenë të njohura nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, sipas legjislacionit në fuqi.
10. Në rastet e studentëve me mesatare të njëjtë, e drejta e përzgjedhjes përcaktohet me short në prezencë të tyre.
11. Kryeministria/ministritë, brenda 5 (pesë) ditëve pune nga përfundimi i procesit sipas pikës 9, të këtij vendimi:
a) publikojnë në faqet e tyre zyrtare listat e studentëve që kanë përzgjedhur pozicionet e punës;
b) dërgojnë pranë institucioneve të tyre të varësisë listat e studentëve të cilët kanë përzgjedhur pozicionet e punës për secilin institucion.
12. Institucionet përkatëse lidhin kontratat e përkohshme të punës me studentët, sipas listave të dërguara nga Kryeministria/ministritë, të cilat respektojnë përputhshmërinë e nivelit dhe të fushës së studimit me kriterin e nivelit dhe llojit të diplomës për pozicionin respektiv të punës.
13. Ngarkohet Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë që:
a) të vërë në dispozicion të Kryeministrisë/ministrive listën e institucioneve/programeve të akredituara të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi dhe në vazhdimësi sa herë ka ndryshime;
b) të bëjë ekuivalencën e mesatares së studentëve që kanë përfunduar studimet jashtë Shqipërisë, në rast se përdoret sistem i ndryshëm vlerësimi, rast pas rasti, sipas kërkesës së Kryeministrisë/ministrive.
14. Ngarkohen Kryeministria dhe të gjitha ministritë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2019.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.903, DATË 21.12.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE PËR PËRFITIMIN E BURSAVE NGA FONDI I MBËSHTETJES STUDENTORE PËR STUDENTËT E SHKËLQYER, STUDENTËT QË STUDIOJNË NË PROGRAME STUDIMI NË FUSHAT PRIORITARE DHE STUDENTËT NË NEVOJË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 112, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, të neneve 1 e 5, të ligjit nr.10289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”, të nenit 2, të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidit”, të ndryshuar, të nenit 6, të ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, të nenit 12, të ligjit nr.7748, datë 29.7.1993, “Për statusin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist”, të ndryshuar, dhe të nenit 32, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.903, datë 21.12.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Përfitojnë bursë, në masën e përcaktuar në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, studentët e pranuar në vitin e parë akademik, për çdo program studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, me notë mesatare vjetore mbi 9 (nëntë) nga sistemi i arsimit të mesëm të lartë, të përllogaritur si mesatare e notave të të gjitha viteve të arsimit të mesëm të lartë, përfshirë edhe rezultatet e provimeve të Maturës Shtetërore. Lista e studentëve që plotësojnë kriterin e notës mesatare hartohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe dërgohet në institucionet publike të arsimit të lartë dhe në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Gjithashtu, përfitojnë bursë në masën e përcaktuar në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, studentët e regjistruar në çdo program studimi, në vitet pas të parit, me kriterin e notës mesatare mbi 9 (nëntë), të përllogaritur nga institucionet e arsimit të lartë, vetëm për periudhën që ndjekin studimet në këto programe studimi dhe për kohëzgjatjen normale të programit të studimit.”.
b) Aneksi 1, që i bashkëlidhur vendimit në fuqi, zëvendësohet me aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.484, DATË 10.6.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME DHE DREJTORIA E PËRGJITHSHME E DOGANAVE TE KOMISIONERI PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT DHE MBROJTJEN E TË DHËNAVE PERSONALE, KOMISIONERI PËR MBIKËQYRJEN E SHËRBIMIT CIVIL DHE AVOKATURA E SHTETIT, TË MJEDISEVE NË GODINËN E ISH-HOTEL “DRINIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pasuritë e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 2, të vendimit nr.484, datë 10.6.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Në shkronjën “c”, pas fjalëve “… në përgjegjësi administrimi …” shtohen “… kati i parë, kati i dytë, kati i tretë …”;
b) Paragrafi i fundit shfuqizohet.
2. Planimetritë e katit të parë, të dytë dhe të tretë, të godinës 5-katëshe, pjesë e godinës së ish-hotel “Drinit”, i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
3. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Avokatura e Shtetit, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D i M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN nR.490, DATË 31.7.2018, tË KËSHILLIT Të MINISTRAVE, “PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2018, MIRATUAR PËR MINISTRINË E FINANCAVE DHE EKONOMISË, PËR PAGESËN E SHËRBIMEVE JURIDIKE PËR PËRFAQËSIMIN DHE MBROJTJEN NË GJYKATËN ITALIANE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 13, të ligjit nr.190/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, dhe të neneve 4, pika 7, 5, pika 1, shkronja “b”, 12, pikat 2 e 6, 15, pika 8 dhe 18, pika 2, të ligjit nr.10018, datë 13.11.2008, “Për Avokaturën e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pas pikës 1, të vendimit nr.490, datë 31.7.2018, të Këshillit të Ministrave, shtohen pikat 1.1 dhe 1.2, me këtë përmbajtje:
“1.1. Autorizimin e Ministrisë se Financave dhe Ekonomisë që nëpërmjet Avokaturës së Shtetit të lidhë shtesë kontrate me firmën avokatore italiane për përfaqësimin e interesave të shtetit shqiptar në çështjen “Iliria SRL”, zhvilluar në gjykatat italiane, të iniciuar nga shoqëria “Iliria SRL”, në vlerën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.
1.2. Shtesa e kontratës të rregullojë përfaqësimin e interesave të shtetit shqiptar, për të gjitha proceset gjyqësore në gjykatat italiane, që rrjedhin nga çështja e “Iliria SRL”.

PËRCAKTIMIN E KATEGORIVE TË INDIVIDËVE QË PLOTËSOJNË KRITERET PËR ULJE TË TARIFËS VJETORE TË STUDIMIT NË PROGRAMET E CIKLIT TË DYTË TË STUDIMEVE, NË INSTITUCIONET PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 8, të ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar, të neneve 1 e 5, të ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, të neneve 2 e 8, të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, të neneve 1 e 15, të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidit”, të ndryshuar, të nenit 5, të ligjit nr.10289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”, të ligjit nr.7748, datë 29.7.1993, “Për statusin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist”, të ndryshuar, dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, të ligjit nr.9642, datë 20.11.2006, “Për ratifikimin e konventës së Këshillit të Evropës, “Për masat kundër trafikimit të qenieve njerëzore””, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Studentët që ndjekin studimet në institucionet publike të arsimit të lartë, në një program të ciklit të dytë të studimeve, sipas kategorive të mëposhtme, paguajnë 50% të tarifës vjetore të studimeve të miratuar nga institucionet publike të arsimit të lartë:
a) Studentët me aftësi të kufizuara, të vërtetuar me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, si dhe studentët fëmijë të personave/familjes me aftësi të kufizuara, të vërtetuar me vendim të KMCA-së për punë, familjet e të cilëve trajtohen/përfitojnë nga ligji nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, ndihmë ekonomike të plotë apo të pjesshme nga njësitë e vetëqeverisjes vendore;
b) Studentët, familjet e të cilëve trajtohen/përfitojnë ndihmë ekonomike të plotë apo të pjesshme nga njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore, si dhe studentëve deri në moshën 25 vjeç, që kanë vetëm njërin nga prindërit, pasi prindi tjetër është ndarë nga jeta, me të ardhura vjetore të familjes të pamjaftueshme për përballimin e kostos së studimeve;
c) Studentët, që kanë përfituar statusin e jetimit, deri në moshën 25 vjeç;
ç) Studentët deri në moshën 25 vjeç, që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë;
d) Studentët deri në moshën 25 vjeç, që janë identifikuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë përfituar statusin ligjor për trajtim si viktima të trafikut të qenieve njerëzore;
dh) Studentët fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës, të konfirmuar nga ministria/institucioni përgjegjës;
e) Studentët romë dhe ballkano-egjiptianë, të konfirmuar si të tillë nga ministria përgjegjëse për mbrojtjen sociale;
ë) Studentët fëmijë të ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist ose fëmijë me prindër të dënuar politikë me heqje lirie;
f) Studentët që fillojnë vitin e parë të ciklit të dytë të studimeve në institucionet publike të arsimit të lartë dhe që kanë përfunduar ciklin e parë të studimeve në institucionet publike të arsimit të lartë me notën mesatare vjetore 9 (nëntë) deri në 10 (dhjetë);
g) Studentët që rezultojnë me notën mesatare vjetore 9 (nëntë) deri në 10 (dhjetë), të regjistruar në vitin e parë pas të parit dhe që kanë shlyer të gjitha detyrimet akademike të parashikuara për vitin akademik paraardhës.
2. Studentët sipas kategorive të individëve që plotësojnë kriteret e pikës 1, të këtij vendimi, paguajnë tarifën vjetore të studimeve në masën 50%, pas paraqitjes së dokumentacionit vërtetues për statusin e tyre ligjor, me vendim të Bordit të Administrimit të institucionit publik të arsimit të lartë.
3. Bordi i Administrimit të institucionit shqyrton dhe miraton për çdo vit akademik, jo më vonë se muaji dhjetor, listën e studentëve të kategorive të individëve që plotësojnë kriteret e pikës 1, të këtij vendimi.
4. Vendimi i Bordit të Administrimit të institucionit publik të arsimit të lartë i njoftohet Agjencisë Kombëtare së Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL) dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes së vendimit.
5. Institucionet publike të arsimit të lartë rimbursohen me fonde grant nga buxheti i shtetit për vlerën e tarifës vjetore të reduktuar sa më sipër.
6. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, si dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.

KONTROLLIN ANTIPLAGJIATURË TË DISERTACIONEVE PËR FITIMIN E GRADAVE SHKENCORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “e”, të nenit 7, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e arkivit digjital të disertacioneve të përdorura për fitimin e gradave shkencore në institucionet e arsimit të lartë publik dhe jopublik, në Republikën e Shqipërisë, pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin apo institucioneve të ngarkuara prej saj.
2. Arkivi digjital të jetë pjesë e regjistrit të gradave shkencore, në kuptim të ligjit për arsimin e lartë.
3. Institucionet e arsimit të lartë si dhe çdo institucion tjetër shtetëror që disponon kopje origjinale të disertacioneve kanë detyrimin që, brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të depozitojnë pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin kopje të njësuar me origjinalin të disertacionit, si dhe materialin në formë elektronike.
4. Ministria përgjegjëse për arsimin kryen kontrollin digjital antiplagjiaturë të disertacioneve të përdorura për marrjen e gradës shkencore, në institucionet e arsimit të lartë, publik dhe jopublik.
5. Për kryerjen e kontrollit digjital antiplagjiaturë, ministria siguron software për kontroll automatik si dhe programe apo pajisje të tjera që i shërbejnë kontrollit për plagjiaturë të disertacioneve të paraqitura për fitimin e gradës shkencore.
6. Ministria përgjegjëse për arsimin i përcjell institucioneve të arsimit të lartë rezultatet e gjetjeve nga kontrolli antiplagjiaturë, mbi bazën e të cilave do të bëhet rivlerësimi përfundimtar mbi gradën shkencore të dyshuar si plagjiaturë.
7. Institucioni i arsimit të lartë, brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve nga vënia në dispozicion e gjetjeve të kontrollit antiplagjiaturë, i njofton ministrisë përgjegjëse për arsimin vendimin e rivlerësimit përfundimtar për çdo gradë shkencore të shqyrtuar.
8. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, institucionet e arsimit të lartë, publik dhe jopublik, dhe institucionet e tjera shtetërore për zbatimin e këtij vendimi.

K R Y E M I N I S T R i
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
VLERËSIMIN E PERFORMANCËS NË MËSIMDHËNIE TË PERSONELIT AKADEMIK NË INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË, EDHE NËPËRMJET SONDAZHIT KOMBËTAR TË STUDENTËVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 104, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë vlerëson procesin dhe performancën në mësimdhënie të personelit akademik në institucionet e arsimit të lartë, me qëllim sigurimin, promovimin dhe përmirësimin e cilësisë së procesit të mësimdhënies në këto institucione.
2. Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë të ndjekë të gjithë procedurën e njoftimit të IAL-ve, ngritjes së grupeve të punës që do të realizojnë procesin e vlerësimit të performancës në mësimdhënie të personelit akademik, deri në hartimin e raporteve përfundimtare.
3. Procesi i vlerësimit të mësimdhënies monitorohet në mënyrë të vazhdueshme edhe përmes sondazhit kombëtar të studentëve, në të gjitha institucionet e arsimit të lartë. Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë harton metodologjinë dhe instrumentet e sondazhit kombëtar të studentëve për cilësinë e mësimdhënies.
4. Në procesin dhe grupet e vlerësimit, të ngritur nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, marrin pjesë dhe përfaqësuesit e studentëve të propozuar nga institucionet e arsimit të lartë.
5. Raporti përfundimtar, i përgatitur nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë, i paraqitet Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe institucionit të arsimit të lartë që i është nënshtruar procesit të vlerësimit të performancës në mësimdhënie.
6. Strukturat përgjegjëse në institucionet e arsimit të lartë shqyrtojnë dhe marrin në konsideratë rezultatet e raportit për vlerësimin e punës mësimdhënëse të çdo anëtari të personelit akademik.
7. Vlerësimi përfundimtar, për çdo anëtar të personelit akademik, bëhet pjesë e dosjes së tij personale, së bashku me vlerësimet e tjera gjithëvjetore.
8. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe institucionet të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.

PËRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE TË PROCEDURAVE TË PËRZGJEDHJES SË ANËTARËVE TË BORDIT TË ADMINISTRIMIT, PËRFAQËSUES TË MINISTRISË PËRGJEGJËSE PËR ARSIMIN, NË INSTITUCIONET PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 7, pika 1, shkronja “b”, 47 dhe 48, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e kritereve e të procedurave transparente të përzgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të Bordit të Administrimit, përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për arsimin, në institucionet publike të arsimit të lartë, me qëllim garantimin e profesionalizmit, të pavarësisë dhe të integritetit etik të anëtarit të bordit.
2. Bordi i Administrimit, si organi më i lartë kolegjial administrativ, i cili garanton përmbushjen e misionit të institucionit të arsimit të lartë, mbarëvajtjen financiare dhe administrative të tij, përbëhet nga 7 (shtatë) anëtarë, të punësuar me kohë të pjesshme.
3. Anëtarët, përfaqësues të institucionit publik të arsimit të lartë, përzgjidhen nga senati akademik i institucionit përkatës.
4. Anëtarët përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për arsimin do të jenë ekspertë të njohur nga fushat akademike, menaxheriale, publicistike, ekonomike e juridike dhe emërohen nga ministri përgjegjës për arsimin.
5. Përbërja e Bordit të Administrimit përcaktohet në varësi të planit buxhetor afatmesëm të institucionit publik të arsimit të lartë, të miratuar nga Bordi i Administrimit.
6. Një nga anëtarët përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për arsimin përzgjidhet nga studentët e IAL-së përkatëse, të cilët i paraqesin ministrit tri kandidatura. Ministri përgjegjës për arsimin emëron një prej kandidaturave të paraqitura nga studentët. Kandidaturat e paraqitura nga studentët duhet të plotësojnë të njëjtat kritere si dhe anëtarët e tjerë të bordit përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për arsimin, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
7. Njoftimi për fillimin e procedurave të përzgjedhjes së anëtarëve të bordit, mënyra e vlerësimit të kandidatëve bazuar në kriteret e parashikuara në këtë vendim dhe afati i dorëzimit të dokumentacionit përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin.
8. Njoftimi i konkurrimit për anëtar të bordit përmban këto të dhëna:
a) Një përshkrim të shkurtër të kompetencave e të funksionit që do të mbulojë anëtari;
b) Kërkesat për pranimin e kandidatëve;
c) Listën e dokumenteve që duhet të paraqiten, vendin dhe afatin deri kur do të paraqiten dokumentet;
ç) Mënyrën dhe kohën kur do të shpallet lista e kandidatëve që do të kualifikohen.
9. Njoftimi publikohet në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për arsimin, në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare të Qendrës së Botimeve Zyrtare dhe në Buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik.
10. Çdo kandidat për anëtar të bordit duhet të jetë person me profil publik dhe arritje të shquara brenda apo jashtë vendit, në fushat akademike, menaxheriale, publicistike, ekonomike dhe juridike.
11. Kriteret për t’u emëruar anëtar i bordit janë, si më poshtë vijon:
a) Të ketë integritet etik dhe profesional;
b) Të mos jetë i angazhuar në funksione drejtuese partiake;
c) Të mos jetë i dënuar penalisht, me vendim gjyqësor të formës së prerë;
ç) Të mos ketë konflikt interesi në përmbushje të kërkesave dhe dispozitave ligjore për parandalimin e konfliktit të interesave.
12. Përzgjedhja e kandidatëve për anëtarë të bordit kryhet nga një komision ad-hoc i ngritur me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin, i cili shqyrton dokumentacionin e paraqitur dhe harton listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore.
13. Komisioni ad-hoc, brenda 10 (dhjetë) ditëve pune nga data e mbylljes së afatit të dorëzimit të dokumentacionit, shqyrton dokumentacionin dhe harton listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret e përcaktuara në këtë vendim, të shoqëruar me një relacion përmbledhës, i cili i paraqitet për miratim ministrit përgjegjës për arsimin.
14. Ministri përgjegjës për arsimin emëron anëtarët e bordit për secilin institucion të arsimit të lartë.
15. Ngarkohet Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për zbatimin e këtij vendimi.