Studentët me shumicë rekord të votave u shpallën “Personazhi i vitit” në Top Channel për 2018-ën.

Këtë vit Top Channel priti propozimet e shikuesve në faqen e internetit që nga mesi i dhjetorit dhe prej disa javësh i dha mundësinë të gjithëve që të vendosnin kandidatët për personazhin e vitit e më pas të votonin. Me 37.62% të votave, shikuesit e Top Channel shpallin studentët dhe protestat e tyre për arsimim më të mirë, si personazhin e vitit.

Me gjasa studentët do të jenë sërish në rol kryesor edhe në 2019-ën, ndërsa premtojnë të kthehen në sheshe nëse qeveria nuk reflekton për kërkesat e tyre. Lëvizja studentore i dha shpresë shoqërisë se në këtë vend fryma e pastër e protestës për drejtesi e kundër varfërisë, është e gjallë dhe e fortë.

Në vend të dytë, me 20.23 për qind të votave është renditur kleriku mysliman Elvis Naçi. Imami i njohur për predikimet e tij që ndiqen shumë, veçanërisht nga të rinjtë, është aktivizuar edhe në një fushatë bamirësie.

Burimi: Top Channel