Cili është universiteti më i vjetër në botë? Nëse thoni ai i Bolonjës ose i Oksfordit, do të ishit shumë të saktë. Por, a e dini se cili është universiteti më i ri? Një studim i ri ka renditur së fundmi universitetet në të gjithë botën që kanë më pak se 50 vite që operojnë.

Në krye të renditjes së Times Higher Education Young Universities 2022 është Paris Sciences et Lettres – PSL Research University, Paris. I themeluar në vitin 2010, një nga kolegjet e këtij universiteti daton që në shekullin e 16-të, kështu që ai nuk është kaq i ri. Gjithashtu, ai është universiteti i parë francez që renditet në vendin e parë.

Nuk është për t’u habitur që ky institucion numëron 28 laureatë të çmimit Nobel mes të diplomuarve të tij. Sipas Times Higher Education (THE), PSL përbën më shumë se një të dhjetën e të gjitha kërkimeve shkencore të kryera në universitetet në Francë, duke pasur jo më pak se 140 laboratorë.

PSL, e cila u rendit e dyta në renditjen e universiteteve të reja në vitin 2021, ka 20,500 studentë, një raport studentësh femra-meshkuj 47% – 53% dhe ofron nëntë diploma bachelor dhe 48 diploma master në të gjitha disiplinat, nga të cilat rreth 20 zhvillohen në anglisht.

Në vendin e dytë renditet Nanyang Technological University, Singapor, i cili ndërroi vendin e tij me PSL në renditjen e vitit 2022, pasi ishte renditur i pari në vitin 2021. Rezultatet e renditjes së këtyre dy institucioneve ishin vetëm 0.5% larg njëra-tjetrës.

E themeluar në vitin 1991, Nanyang ka 25,000 studentë që vijnë nga më shumë se 100 vende të botës dhe mban lidhje të ngushta akademike me universitetet kryesore ndërkombëtare, duke përfshirë Imperial College, London, Stanford dhe Peking.

Universiteti i Shkencës dhe Teknologjisë i Hong Kongut, i themeluar në vitin 1991, ruajti vendin e tretë, njësoj si në renditjen e vitit 2021. Një nga profesoret e shkencave të jetës në këtë universitet, Angela Wu, u emërua si një nga Shkencëtaret e Reja të Vitit nga Forumi Ekonomik Botëror në vitin 2018.

Universitetet e reja që u bënë pjesë e renditjes

Vendin e katërt në renditje e zuri Universiteti Erasmus i Roterdamit, i cili u bë pjesë për herë të parë e kësaj renditjeje në vitin 2022. Erasmus ka operuar si një universitet që nga viti 1973, megjithëse historia e tij mund të datojë që nga themelimi i Shkollës së Tregtisë të Holandës në vitin 1913.

Universiteti e përshkruan veten si “një ofrues i tarifave shumë të arsyeshme të studimit”, me tarifa universitare për studentët europianë që shkojnë rreth 2,200 € (2,500 dollarë) në vit. Ai ka 39,000 studentë dhe studiues në programet bachelor, master dhe doktoraturë.

Një tjetër universitet i ri që u bë pjesë e renditjes së vitit 2022, duke u renditur në vendin e gjashtë, është Institut Polytechnique de Paris me 8,500 studentë, një e treta e të cilëve vijnë nga jashtë Francës. Politekniku u themelua në vitin 2019, megjithëse përfshin disa fakultete me mbi 200 vite histori.

Pamja rajonale

Hong Kongu ka tre institucione në 10 më të mirët e renditjes së universiteteve të reja për vitin 2022. Franca dhe Holanda kanë nga dy secila, ndërsa Australia, Belgjika dhe Singapori kanë nga një.

Duke konsideruar të gjitha universitetet e listuara, India dhe Turqia, të dyja me nga 40 institucione në renditje, kanë numrin më të madh të universiteteve të rankuara në këtë listë, që kanë më pak se 50 vite që operojnë. Irani dhe Mbretëria e Bashkuar kanë nga 37 institucione, të ndjekura nga Spanja me 32, Franca me 24 dhe Australia me 23.

Renditja e Universiteteve të Reja bazohet në një vlerësim të secilit institucion sipas 13 kritereve të grupuara në pesë fusha kryesore: mësimdhënia; kërkimet shkencore; citimet (ndikimi i kërkimit shkencor); orientimi ndërkombëtare (stafi, studentët dhe kërkimi shkencor); dhe të ardhurat nga industria (ose transferimi i njohurive).

Parë nga një këndvështrim rajonal, Afrika ka numrin më të madh të universiteteve në renditjen e vitit 2022, që përbëjnë mbi dy të tretat e universiteteve më të reja në botë, e ndjekur nga Oqeania, Azia, Europa, Amerika e Jugut dhe Amerika e Veriut.

Klub ekskluziv

Në total, 790 institucione dërguan të dhënat e tyre për renditjen e këtij viti, por shumë prej tyre nuk u bënë pjesë e renditjes sepse: ose nuk kishin botuar të paktën 1,000 studime në organe me reputacion të lartë gjatë një periudhe pesëvjeçare, ose sepse japin mësim vetëm në një fushë të caktuar, ose sepse nuk ofrojnë diploma të ciklit të parë bachelor.

Universitetet që nuk plotësonin kriteret e pranimit për t’u bërë pjesë e renditjes, thjesht janë listuar me statusin e “raportuesit” në renditjen përfundimtare.

“Çdo vit… na duhet të përjashtojmë disa universitete nga renditja, sepse metodologjia jonë e renditjes botërore të universiteteve ka kritere shumë strikte për t’u pranuar. Kjo e bën renditjen një klub tepër ekskluziv, por një klub në të cilin shumë universitete duan të jenë pjesë,” tha kreu i Departamentit të Shkencës së të Dhënave, David Watkins./ WEF