Prej disa ditësh transporti urban në Tiranë ndodhet në një kaos të vërtetë pasi linjat e urbanëve kanë kufizuar lëvizjet e tyre. Por duket se pas disa ditësh ky numër i reduktuar i autobusëve do të ndiqet nga pezullimi i plotë i lëvizjes së tyre. Konstandin Foni nga Shoqata e Transportit Publik, gjatë një interviste televizive tha se rezerva e karburantit po ju mbaron dhe operatorët do të pezullojnë shërbimin. Ai tha se rritja e çmimit të naftës po iu rëndon shumë dhe se kostot e kompanive të transportit janë shtuar edhe më shumë.Më tej ai tha se kërkesat me të cilat kishin rënë dakord me bashkinë e Tiranës nuk janë vënë ende në zbatim dhe nëse kjo nuk do ndodh ata nuk do dalin nga kriza financiare ku janë futur.Jemi dakordësuar me përfaqësuesit e bashkisë për disa pika që do të ishin lehtësuese për transportin urban dhe që do të futeshin në fuqi në janar, por akoma nuk ka asnjë shenjë në të. Kemi rënë dakord që të futet në zbatim heqja e akcizës së naftës, heqja e taksës së qarkullimin, rimbursimi i TVSH 100% dhe një fond nga Bashkia me një vlerë prej 1 milionë euro por jemi në mars dhe ende nuk është implementuar asnjë nga pikat e dakordësuar.

Kujtojmë se shoqata e transportit urban ka paralajmëruar dyfishim të çmimit të biletës dhe së fundmi edhe të abonesë.