Pas vlerësimit të kapaciteteve në çdo program studimi, Universiteti i Mjekësisë së Tiranës, degët e të cilit janë edhe ndër më të kërkuarat në radhët e maturantëve ka miratuar tashmë kuotat e reja të pranimeve për vitin akademik 2023.
Sipas vendimit të marrë së fundmi nga Senati Akademik, gjatë vitit të ri akademik, në auditorët e fakulteteve të këtij institucioni të arsimit të lartë publik do të mund të ulen për herë të parë 1849 studentë.Këto kuota ndahen në 1712 të drejta studimi që do të jenë në favor të kandidatëve që do të ndjekin programet e ciklit të parë dhe programet e integruara të cikli të të dytë të studimeve, 21 kuota janë për kandidatët që do të ndjekin një program të dytë studimi, 114 kuota janë të referuara për ciklin e transferimeve, si dhe 2 kuota për shtetasit e huaj.
Ndërsa totali prej 1712 kuotash për studimet e ciklit të parë dhe atij të integruar ndahen në këtë mënyrë: 1588 kuota për kandidatët brenda vendit, përzgjedhja e të cilëve do të bëhet kryesisht nga konkurrimet në radhët e maturantëve, 90 kuota që do të jenë për shqiptarët nga trojet, 12 kuota për kandidatët studentë në radhët e personave me aftësi të kufizuara, 11 kuota për ata që janë me statusin e jetimit, si dhe 11 kuota të tjera që do të jenë në dispozicion të kandidatëve studentë nga shtresat Romë, si dhe Ballkano-Egjiptianë.
Për të konkurruar për studimet e larta në degët Farmaci, Mjekësi i përgjithshme dhe Stomatologji do të mund të hyjnë në garë vetëm maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë notë mesatare të shkollës së mesme nga 8.5 dhe më lart. Ndërsa për të garuar në degët për programet e teknikës dentare dhe higjienist dentar duhet një mesatare mbi notën 7, për degët logopedi, teknik laboratori, teknik imazherie, mami, fizioterapi, infermieri e përgjithshme duhet mesatare e shkollës së mesme mbi notën 7.5, si dhe për degën e shëndetit publik duhet mesatare e gjimnazit mbi notën 8.
Krahas mesatares minimale që duhet për të hyrë në konkurrim për degët e këtij universiteti, janë edhe tre kriteret mbi të cilat do të bazohet përzgjedhja e fituesve të rinj do të pranohen gjatë vitit të ri akademik. Kriteri i parë ka të bëjë me mesataren e shkollës së mesme që vlerësohet me 30 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të rinj. Kriteri i dytë ka të bëjë me mesataren e provimeve të Maturës Shtetërore 2023, ose maturave të mëparshme. Ky kriter vlerësohet me 40 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të rinj të këtij viti. Sa i takon këtij treguesi sqarohet se nëse një kandidat jep provim lëndë me zgjedhje: Kimi, Fizikë, Biologji, nota e provimit shumëzohet me 1.4. Nëse një kandidat jep provim lëndë me zgjedhje, të ndryshme nga këto tre lëndë të përcaktuara, nota e provimit shumëzohet me koeficientin 1. Ndërsa kriteri i tretë ka të bëjë me mesataren e tre lëndëve formuese që janë: Kimi, Biologji dhe Fizikë. Nota mesatare aritmetike e lëndëve formuese (Fizikë, Kimi dhe Biologji), të zhvilluara gjatë tri viteve të shkollës së mesme përbën 30 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të rinj. Kur lëndët Fizikë, Kimi dhe Biologji janë të vitit të tretë, shumëzohen me koeficient 1.25.Ndërkohë që një tjetër kriter shtesë që do të aplikohet për pranimet e vitit të ri akademik është edhe i testit të digjitalizuar që do të aplikohet vetëm për kandidatët që do të garojnë për kuotat e pranimeve në degën e Mjekësisë së Përgjithshme. Kështu të gjithë kandidatët që do të garojnë në këtë degë do të japin edhe provimin në QSHA gjatë muajit gusht, ku do të testohen për njohuritë e fituara në lëndët bazë të këtij profili, të cilat janë zhvilluar gjatë studimeve të shkollës së mesme. Në ndihmë të përgatitjes që maturantët duhet të kenë në lidhje me këtë provim, që në muajin dhjetor të vitit të shkuar është shpallur edhe fondi zyrtar me 3 mijë pyetjet orientuese, rreth të cilave do të hartohet edhe përmbajtja finale e provimit final për pranimet e reja në këtë degë.
NDARJA E PLOTË E KUOTAVE NË PROGRAMET E CIKLIT TË PARË BACHELOR DHE CIKLIT TË DYTË TË INTEGRUAR PËR VITIN AKADEMIK 2023-2024

Burimi zytar i këtij artikulli: Gazeta Dita


