Universiteti Politeknik i Tiranës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Autoritetin Portual Durrës (APD) – Qendrën e Ekselencës për Çështjet Detare (CEMA) mbi kualifikimin profesional, kërkimin shkencor, inovacionin dhe promovimin e fushave të inxhinierisë me profil portual.

Qëllimet kryesore të kësaj marrëveshjeje janë: Bashkëpunimi i ndërsjelltë ndër-institucional me qëllim kualifikimin e burimeve njërëzore të institucioneve të sektorit portual – detar, zhvillimin e kërkimit shkencor dhe inovacionit në fushat me interes të ndërsjelltë; Mbështetja e programeve të kualifikimit dhe specializimit në inxhinieri me profil portual – detar; Afrimi dhe orientimi i studentëve dhe profesionistëve të rinj drejt transportit detar në kompleksin portual Durrës – Porto Romano, si ndër më të rëndësishmit në vend, duke synuar rritjen e punësimit në këtë sektor strategjik.

Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Autoritetin Portual Durrës Palët, ndër të tjera, angazhohen në realizimin e veprimtarive me interes të ndërsjelltë në fushat e mëposhtme:

1. Shkëmbim i informacioneve dhe kapaciteteve të burimeve njerëzore për kërkime shkencore, nxjerrje e të dhënave statistikore, kryerje e studimeve dhe analizave për çështje që prekin komunikimin, inovacionin, integrimin në BE dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik;

2. Krijim i mundësive dhe lehtësive që studentë të UPT-së të kryejnë praktika mësimore, stazhe profesionale dhe specializime të paguara pranë APD, me synim integrimin e tyre në tregun e punës në Portet nën përgjegjësi administrimi të APD;

3. Bashkëpunim në realizimin e projekteve të përbashkëta në fushën e këshillimit të karrierës, panaireve të punësimit dhe aktivitete të tjera, që kanë për qëllim nxitjen e punësimit tek rinjtë në sektorin detar dhe portual;

4. Organizim i përbashkët i trajnimeve, leksioneve të hapura, workshop-eve, konferencave, në lidhje me tematika që kanë interes studimor ose praktik;

5. Bashkëpunim për projekte dhe financime të huaja në dobi të të dyja institucioneve, përfshirë dhe investimet për forcimin e ekspertizës kërkimore, specializimet dhe inovacionin në fushat me interes të ndërsjelltë (infrastrukturë portuale; zhvillimi urban, arkitektonik, peizazhistik dhe inxhinierik i zonës së portit dhe lidhja me qytetin; administrimi i integruar urban dhe portual; mbrojtja e mjedisit detar; inxhinieri mekanike dhe sistemet për mjetet portuale; automatizimi i proceseve portuale; analiza e të dhënave të logjistikës; siguria kibernetike etj)