Universitetet publikojnë kriteret e pranimit për vitin akademik 2020-2021. Kriter kryesor nota mesatare e tre viteve të gjimnazit. Politekniku vazhdon sërish garën me konkurse
Universitetet publike kanë publikuar kriteret e reja të pranimit për vitin 2020-2021 për çdo degë studimi, sipas fakulteteve përkatëse, në studimet e ciklit të parë (bachelor). Kriter kryesor edhe për këtë vit studimi do të jetë nota mesatare e tre viteve të gjimnazit, bashkë me rezultatet përfundimtare të grumbulluara nga provimet e maturës.
Universiteti i Mjekësisë
Për miratimin e kritereve të pranimit në programet e studimit të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimit të ciklit të dytë, në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, për vitin akademik 2020-2021”, bëhet me dije edhe mesatarja për çdo degë. Përkatësisht, maturantët e interesuar për Mjekësinë e Përgjithshme, Farmacinë apo Stomatologjinë duhet të kenë një mesatare me të lartë se 8.5 gjatë viteve të gjimnazit. Ndërkohë ata që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e larta për shëndet Publik duhet të kenë një mesatare mbi notën 8. Sakaq, një mesatare gjimnazi mbi 7.5 kërkohet për degët Infermieri e Përgjithshme, Fizioterapi, Mami, Teknikë Imazherie, Teknikë Laboratori e Logopedi. Ndërsa për të ndjekur studimet për Teknikë Dentare apo Higjenist Dentar, maturantët duhet të kenë një mesatare gjimnazi mbi notën 7.
Nota mesatare
Nota mesatare minimale përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore.
Kriteret e pranimit të studentëve në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë për vitin akademik 2020-2021, përbëhet nga nota mesatare aritmetike e provimeve të Maturës Shtetërore 40% ku nëse një kandidat jep provim me zgjedhje: Kimi, Fizikë, Biologji, nota e provimit shumëzohet me 1.4; nëse një kandidat jep provim lëndë me zgjedhje, të ndryshme nga lëndët e mësipërme, nota e provimit shumëzohet me koeficientin 1.
Ndërkohë, nota mesatare aritmetike e shkollës së mesme për të gjitha vitet ka një peshë prej 30% gjatë përllogaritjes së pikëve për tu pranuar në Universitetin e Mjekësisë. “Nota mesatare aritmetike e lëndëve formuese (Fizikë, Kimi dhe Biologji), të zhvilluara gjatë tri viteve të shkollës së mesme 30%, ku lëndët e mësipërme në vitin e tretë të shkollës së mesme shumëzohen me koeficient 1.25.
Lexo vendimin zyrtar për Universitetin e Mjekësisë. KLIKO KËTU
Universiteti Politeknik
Për të gjithë maturantët të cilët dëshirojnë të ndjekin një degë studimi në këtë universitet, kandidatët duhet të kenë mesataren e shkollës së mesme mbi 6 (gjashtë).
Ndërkohë renditja e aplikantëve do të bëhet referuar pikëve të grumbulluara sipas formulës:
[0.7*Mes(VKM) + 0.3(0.5*Mes(Matematike) + 0.4*Mes(Fizike) + 0.1*Mes (Kimi)] * Kkoef. Shkollës*1000.
-Mes(VKM), nota mesatare e thjeshtë, e të gjitha viteve të shkollës së mesme, e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave për vitin akademik 2020 – 2021, sipas Ligjit Nr. 80/2015, datë 22.07.2015 “Për arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë, në Republikën e Shqipërisë” neni 74, pika 1;
– Mes(Matematike), nota mesatare e thjeshtë e matematikës në të gjitha vitet e shkollës së mesme, përfshire rezultatin në provimet e Maturës Shtetërore;
– Mes(Fizike), nota mesatare e thjeshtë e fizikës, në të gjitha vitet e shkollës së mesme, përfshire rezultatin në Maturën Shtetërore të provimit me zgjedhje;
– Mes(Kimi), nota mesatare e thjeshtë e kimisë në të gjitha vitet e shkollës së mesme përfshire rezultatin në Maturën Shtetërore të provimit me zgjedhje;
– Kkoef. Shkollës, koefiçenti i shkollës së mesme, për vitin akademik 2020 -2021, sipas tabelës së koeficienteve për vitin akademik 2020 -2021
Universiteti i Tiranës
Universiteti i Tiranës ka miratuar kriteret e pranimit për fakultetet përkatëse për vitin akademik 2020-2021.
Për Fakultetin e Shkencave Sociale nota mesatare aritmetike e shkollës së mesme do të marrë 40% të vlerësimit. Nota mesatare aritmetike e provimeve të detyruara dhe me zgjedhje të Maturës Shtetërore do të përbëjë 30%. Ndërkohë për maturantët që kanë dhënë provim me zgjedhje lëndët Qytetari, Psikologji ose Filozofi-Sociologji do të aplikohet koeficienti.
Ndërsa për maturantë që nuk japin një nga këto lëndë në provimet me zgjedhje do të aplikohet koeficienti 1.0.
Nota mesatare aritmetike e gruplëndëve formuese në shkencat sociale do të përbëjë 30% të vlerësimit. a. Qytetari dhe Filozofi (kurrikul bërthamë klasa 10 e 11) b. Psikologji dhe Sociologji (kurrikul me zgjedhje, klasa 12) – për maturantët që kanë zgjedhur në klasën e 12 si lëndë me zgjedhje Psikologji ose Sociologji, ose të dyja, aplikohet koeficienti 1.2 – maturantëve që nuk kanë zgjedhur në klasën e 12 si lëndë me zgjedhje Psikologji ose Sociologji, ju llogaritet thjesht mesatarja e lëndëve të zhvilluara nga fusha e shkencave sociale (kurrikul bërthamë, Qytetari dhe Filozofi, klasa 10 e 11).
Sa i takon koeficientit të shkollave është vendosur:
a) Shkollat e kategorive gjimnaz, gjimnaz dygjuhësh shqip-italisht, shqip-gjermanisht dhe shqip-frëngjisht kanë koeficientin 1.4.
b) Shkollat e kategorive pedagogjike, gjimnaz gjuhësor, shërbimet sociale dhe shëndetësore, si dhe shkolla administrim biznes kanë koeficientin 1.2
c) Gjithë shkollat e tjera të kategorive profesionale kanë koeficient 1.
burimi: Shekulli Online


