Transferimi i studimeve
Aplikimi për transferim studimesh mund të bëhet nga një program studimi i njëjtë ose i ngjashëm i të njëjtit cikël dhe lloj të ndjekur nga kandidati në një universitetet publik ose privat, vendas ose të huaj, por që plotëson kushtin e akreditimit të programit përkatës të studimit.
Ndërsa për të gjithë kandidatët për program të dytë studimi, të cilët kanë mbaruar arsimin e mesëm të lartë jashtë vendit, duhet të kenë të njohur sipas kushteve të përcaktuara diplomën dhe certifikatën e arsimit të mesëm të lartë në ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Gjithashtu, në udhëzim saktësohet se nuk mund të kryhen transferime studimesh nga një nivel cikli studimesh të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, në një tjetër. Në këtë kuadër, nuk mund të kryhen transferime studimesh nga programet 2-vjeçare me karakter profesional në programe të ciklit të parë “Bachelor” dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë “Master i shkencave”.
Kush përjashtohet?
Sipas udhëzimit të zbardhur nga MASR-i, nuk kanë të drejtë të aplikojnë për transferim studimesh, të gjithë ish-studentët e institucioneve të arsimit të lartë privat që u mbyllën nga qeveria në mesin e vitit 2014, për shkak të problemeve të hasura me licencimin dhe funksionimin e programeve të tyre të studimit. Përjashtim në këtë rast përbëjnë vetëm ish-studentët e shkollës së lartë universitare “Justicia” në Tiranë, të cilët kanë të drejtë të aplikojnë për të transferuar studimet vetëm gjatë këtij viti akademik.
Dokumentacioni për transferimin e studimeve
Kandidatët që aplikojnë për transferim të studimeve, duhet të paraqesin: Kërkesën drejtuar universitetit për programin e studimit në të cilën do të transferojnë studimet (si dhe formularin e aplikimit të plotësuar); planin e plotë të programit të studimit përfshirë dhe syllabuset përkatëse; vërtetim të listës së notave dhe krediteve të fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer, i cili do të shërbejë për ekuivalentimin e notave të lëndëve të programit të studimit të ndjekur. Studentët që transferojnë studimet nga një institucion i huaj drejt vendit tonë, duhet të dorëzojnë edhe planin e plotë të programit të studimit të përfshirë dhe syllabuset përkatëse dhe listën e notave dhe krediteve të fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer, të cilat duhet t’i dorëzojnë të përkthyera në gjuhën shqipe dhe të njehsuara me origjinalin; kandidati që ka përfunduar shkollën e mesme në Republikën e Shqipërisë përpara vitit 2011, duhet të dorëzojnë fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë së shkollës së mesme. Në mungesë të diplomës së Maturës Shtetërore ose dëftesës së pjekurisë së shkollës së mesme, duhet të paraqesin dublikatë të dëftesës së pjekurisë së lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në Drejtorinë Arsimore Rajonale/Zyra Arsimore përkatëse, ose listën e notave të shkollës së mesme të lëshuar nga Arkivi i Shtetit; fotokopje të dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë); dy fotografi personale si dhe kopje të mandatit të pagesës për faturën e aplikimit, shuma e të cilës përcaktohet nga universitetet.
Dokumentacioni për program të dytë studimi :
Kërkesën drejtuar universitetit publik për programin e studimit, në të cilin aplikon për të vijuar studimet si fakultet i dytë, si dhe të plotësojë formularin përkatës të aplikimit.
Kopjen e noterizuar të diplomës së studimeve universitare të kryera më parë të shoqëruara me suplementin e diplomës përkatëse.
Vërtetim të listës së notave dhe krediteve të fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer, i cili do të shërbejë për ekuivalentimin e notave të lëndëve të programit të studimit të ndjekur nëse kërkohet njohja e provimeve të shlyera dhe e krediteve përkatëse.
Kandidati që ka përfunduar shkollën e mesme në Republikën e Shqipërisë përpara vitit 2011 duhet të dorëzojnë fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë së shkollës së mesme. Në mungesë të diplomës së Maturës Shtetërore apo dëftesës së pjekurisë së shkollës së mesme, duhet të paraqesin dublikate të dëftesës së pjekurisë së lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në Drejtorinë Arsimore Rajonale/Zyra Arsimore përkatëse, ose listën e notave të shkollës së mesme të lëshuar nga Arkivi i Shtetit.
Fotokopje të dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë).
Dy fotografi personale.
Kopje të mandatit të pagesës për faturën e aplikimit, shuma e të cilës përcaktohet nga universitetet.
Njohja e dokumentacionit të kandidatëve shtetas të huaj si fitues në këto programe studimi mund të kryhet edhe gjatë zhvillimit të semestrit të parë, si dhe përpara sezonit të parë të provimeve. Në këtë rast, regjistrimi si student i kandidatëve fitues bëhet me rezervë deri në përfundim të procedurës së njohjes së dokumentacionit shkollor të tyre.
UNIVERSITETI INFO
Ndalohet kopjimi i ketij materiali pa cituar burimin.




