Universitetet amerikane po rifutin gjithnjë e më shumë provimet me gojë si një mënyrë për të vlerësuar studentët në mënyrë më të drejtë e të besueshme, mes përhapjes së shpejtë të mjeteve të inteligjencës artificiale si ChatGPT
Profesorët thonë se detyrat me shkrim që jepen në shtëpi janë duku u realizuar me “përsosmëri”, ndërsa shumë studentë e kanë të vështirë ta shpjegojnë ose ta mbrojnë punën e tyre. Ky trend ka ngritur shqetësime në lidhje me rënien e aftësive të të menduarit kritik apo edhe aftësinë e studentëve për të analizuar informacionin në mënyrë të pavarur.
Në përgjigje të kësaj, një numër gjithnjë e në rritje institucionesh po kthehen te provimet me gojë, ku studentët duhet të paraqesin dhe mbrojnë punën e tyre drejtpërdrejt para një profesori. Siç vuri në dukje profesori i Universitetit Cornell, Chris Shaffer, “Nuk mund ta kalosh një provim me gojë me ndihmën e inteligjencës artificiale”.
Në Universitetin e Pensilvanisë, provimet me gojë po përdoren së bashku me detyrat me shkrim. Profesoresha e Asociuar Emily Hammer theksoi se qëllimi nuk është vetëm parandalimi i kopjimit, por edhe rindërtimi i aftësive bazë akademike, siç janë kreativiteti, arsyetimi dhe të menduarit e pavarur.
Në mënyrë të ngjashme, Universiteti i Nju Jorkut ka zgjeruar vlerësimet me gojë përmes prezantimeve, pyetjeve në klasë dhe diskutimeve interaktive. Disa instruktorë madje po eksperimentojnë me inteligjencën artificiale në një mënyrë konstruktive – duke përdorur chatbot me qëllim për të simuluar provimet me gojë dhe për të sfiduar studentët me pyetje pasuese në kohë reale.
Interesi për testimin me gojë është rritur që nga pandemia COVID-19 dhe veçanërisht pas lançimit të ChatGPT në vitin 2022. Universitetet tani po eksplorojnë në mënyrë aktive metoda të reja për të vlerësuar të kuptuarit e vërtetë në vend të rezultateve që ndihmohen nga algoritmet.
Ekspertët argumentojnë se provimet me gojë jo vetëm që zbulojnë se sa mirë e kuptojnë studentët materialin, por edhe inkurajojnë të nxënit. Në shumë raste, studentët përgatiten më me kujdes, duke e ditur se do të duhet të shpjegojnë konceptet me fjalët e tyre në vend që të mbështeten në një tekst të rafinuar dhe të gjeneruar nga inteligjenca artificiale.


