Një tufë kartolinash u vendosën në murin rrethues të Ministrisë së Arsimit nga studentët dhe përfaqësuesit e Kongresit Studentor.

Në ndryshim nga tradita e urimeve për festat e fundvitit, në to u shkruan problematikat e pazgjidhura dhe premtimet e pambajtura të ministrisë gjatë këtij viti që po lemë pas.

Sot kemi një krizë kërkimi shkencor, ku renditemi të fundit në Evropë, me gjashtë kërkime për 100 mijë banorë. Krizë në degët prioritare, ku 41% e tyre rrezikojnë të mbyllen. 30% e degëve në përgjithësi në universitetet publike të vendit rrezikojnë të mbyllen se kanë më pak se 10 studentë të regjistruar. Sot rektorët e disa prej universiteteve kanë probleme me drejtësinë, por ata akoma vazhdojnë të jenë pjesë e këtyre institucioneve të arsimit të lartë. Ndërsa nga ana tjetër studentët edhe pse po mbyllet ky vit akoma nuk i është alokuar bursa ndonëse të fituara me meritë. Kjo është mbështetja e munguar e këtyre institucioneve”,- u shpreh Kolindo Vjerdha, student e përfaqësues i Kongresit Studentor.

Sipas studentëve, kërkimi shkencor, kriza në degët prioritare, buxheti i ulët dedikuar arsimit janë disa nga problematikat më të thella që kanë qenë të pranishme përgjatë këtij viti.

“Kur isha më e vogël u zhgënjeva kur kuptova se babagjyshi nuk ekzistonte sepse asnjë dëshirë e imja që i shpreha nuk u plotësua kurrë. Ishte thjesht një fasadë e bukur që ju paraqitej fëmijëve Sot kam të njëjtin zhgënjim të atij fëmije që Ministria e Arsimit nuk ekziston. Është thjesht një fasadë e bukur që ju paraqitet studentëve. Gjendja në arsim është alarmante e cila finalizohet në auditorët e universiteteve, por zanafillën e ka që në bankat e fillores”,-u shpreh Armelda Ago, studente e infermierisë së përgjithshme.