Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se një përqindje e konsiderueshme e popullsisë në të gjithë globin do të përjetojnë stres apo shqetësime të tjera të shëndetit mendor si pasojë e COVID-19. Veçanërisht kjo gjë po ndodh në grupe të caktuara të popullatës, të tillë si të moshuarit, ofruesit e kujdesit shëndetësorë dhe personat me sëmundje shoqëruese. OBSH ofron disa rekomandime të përgjithshme mbi mënyrën e menaxhimit të stresit apo shqetësimeve mendore që mund të zhvillohen në këtë periudhë, gjithsesi mbetet në dorë të vetë individëve, institucioneve dhe organizatave që të marrin masa për parandalimin e përshkallëzimit të shqetësimeve mendore si ankthi apo depresioni si pasojë e frikës nga kontaminimi apo masave shtrënguese për parandalimin e shpërndarjes së COVID-19.

Përjetimi i stresit dhe ankthit është një reagim normal në kushtet në të cilat jetojmë por përshkallëzimi në intensitet dhe kohë i këtyre shqetësimeve psikologjike mund të çojë në çrregullime mendore, ndaj është e domosdoshme që shqetësimet të identifikohen dhe të trajtohen sa më shpejt që të jetë e mundur.

Kushtëzimet dhe izolimi i “detyruar” e bën më të vështirë kërkimin dhe marrjen e ndihmës profesionale, ndaj është e domosdoshme që vetë individët të bëjnë disa hulumtime mbi metodat bashkëkohore apo përpjekje vetjake për trajtimin e shqetësimeve mendore që mund të kenë.

Më poshtë paraqiten disa mesazhe kyç të prezantuara nga OBSH për menaxhimin e stresit dhe ankthit nga COVOD-19:

  •     Është normale që në këto ditë të ndiheni të mërzitur, të stresuar, konfuzë apo të frikësuar.Flisni me njerëz që besoni se ju ndihmojnë.
  • Nëse duhet të qëndroni në shtëpi, ndiqni një stil jetese të shëndetshme. Hani mire, bëni gjumë të rregullt, bëni sa të mundni aktivitet fizik dhe kontaktoni miqtë nëpërmjet telefonit apo rrjeteve sociale.
  • Mos konsumoni duhan, alkool apo droga. Kërkoni ndihmë për nevojat tuaja fizike apo mendore.
  •  Referojuni vetëm burimeve të besueshme informuese.
  • Shmangni shikimin, leximin ose dëgjimin e lajmeve që ju bëjnë të ndiheni në ankth ose stres.