Mbi tri herë paga mesatare e një mjeku të ri mbi pagën e përgjithshme mesatare të një vendi në BE. Studentët dhe specializantët shqiptarë mund ta largohen dhe të punojnë jashtë si në Gjermani, pa qenë nevoja për të paraqitur diplomën, pasi një e tillë në fakt nuk njihet. Ata mund të mjaftohen me një vërtetim që provon se ata e kanë mbaruar arsimin e lartë në mjekësi, dhe të praktikohen, çka do të thotë se përpjekja për t’i frenuar në mungesë të politikave të shëndosha të zhvillimit, do të rezultojë e kotë
Mjekët fitojnë dukshëm më shumë se paga mesatare, (në shumicën e vendeve të Europës tre herë më tepër se mesatarja), por pagat e tyre kanë rënë në terma realë në disa vende evropiane, përfshirë Britaninë e Madhe.
Dhe kjo i ka detyruar ata të ngrihen në protesta, kudo në Europë. Edhe në vendin tonë, pas vendimit të vonuar për rritje të pagave të mjekëve, teksa Kuvendi miratoi një ligj që do t’i pengojë mjekët e rinj të marrin për pesë vite diplomën pas përfundimit të shkollës, me qëllim frenimin e largimit të tyre, studentët e mjekësisë kanë vijuar protestat.
Mungesa e politikave favorizuese për të rinjtë, e reformimit të ngadaltë të sistemit shëndetësor, si dhe fakti që paga mesatare e një mjeku në Shqipëri ka mbetur pak më shumë se paga e përgjithshme mesatare, tregon se politikat e ndjekura i kanë nxituar bluzat e bardha të largohen, që karrierën dhe të ardhmen të ndërtojnë në vende të tjera.
A është e drejtë që një studenti të mjekësisë, për specializimin e të cilit buxheti i shtetit shpenzon mesatarisht 18 mijë euro, të largohet dhe t’i shërbejë vendeve më të pasura të Europës? Sigurisht që jo! Por nga ana tjetër a është kushtetuese mbajtja “peng” e tij, kur studenti nuk ka qenë i paralajmëruar që kur nisi studimet, për një kusht që i është vënë nga qeveria, e cila aktualisht po përpiqet të frenojë ndonjë katastrofë të mundshme në sistemin tonë shëndetësor?
Duket se situata në vendin tonë lidhet me krizën për mjekë, kudo në Europë.
Personeli shëndetësor dhe mjekët në veçanti punuan pandërprerë për të shpëtuar jetë gjatë pandemisë COVID-19. Shumë prej tyre nuk shkuan në shtëpi për ditë ose javë dhe shumë prej tyre humbën jetën duke ndihmuar të tjerët. Ata u bënë heronj dhe publiku tregoi vlerësim për punën dhe përkushtimin e tyre. Megjithatë, personeli shëndetësor mbetet kryesisht i pakënaqur me pagat dhe kushtet e tyre të punës. Këtu përfshihen mjekët; si specialistë ashtu edhe mjekë të përgjithshëm.
Në vitin 2022, mjekët u ngritën në protesta, paralajmëruan mundësinë e grevës ose hynë në grevë në vendet evropiane si Franca, Gjermania, Spanja, Portugalia, Greqia dhe Turqia. Ata kërkuan rritje të pagave por u ankuan edhe për mungesën e stafit në spitalet e tyre. Në Angli, mjekët e rinj hynë në një grevë 3-ditore për herë të tretë më 14 qershor për shkak të pagave dhe kushteve të punës. Kjo pasoi një seri grevash historike nga infermierët në dhjetor dhe sërish në fillim të këtij viti.
Shoqata Mjekësore Britanike (BMA) tha se mjekët e sapokualifikuar fitojnë në orë (15,95 €), më pak se një barist në zinxhirin e kafeneve (i cili paguhet 15,96 €). Në shumicën e vendeve evropiane, pagat vjetore bruto të mjekëve u rritën në terma realë midis 2010 dhe 2020, sipas shifrave të publikuara nga OECD. Pagat në terma realë janë vlera që marrin parasysh inflacionin. Megjithatë, pagat ranë në disa vende në terma realë në dekadën e fundit. Sa paguhen mjekët në Evropë? Cilat vende i paguajnë mjekët më shumë dhe më pak? Sa kanë ndryshuar pagat e mjekëve në dekadën e fundit dhe sa fitojnë mjekët duke marrë parasysh konceptin e barazisë së fuqisë blerëse?
Të dhënat e OECD përfshin informacion për 25 vende evropiane dhe pagat e mjekëve ndryshojnë shumë ndërmjet tyre. Në vitin 2020 ose vitin më të afërt me të dhënat e disponueshme, pagat vjetore bruto të specialistëve varionin nga 20,200 € në Poloni në 258,552 € në Luksemburg (të dhënat e 2015). Me fjalë të tjera, diferenca mes mjekëve që paguhen më shumë dhe mjekëve që paguhen më pak është më shumë se dhjetëfish.
Përveç Luksemburgut, në katër vende të tjera specialistët janë paguar më shumë se 150,000 € në vitin 2020. Ato janë Irlanda (172,882 €), Holanda (160,869 €), Danimarka (156,061 €) dhe Islanda (155,276 €). Gjermania (146,200 €) dhe Britania e Madhe (136,375 €) i pasonin me paga të përafërta.
Pagat ishin dukshëm më të ulëta se 100,000 euro në Francë, Itali dhe Spanjë. Ka disa vende të tjera në BE, duke përfshirë Portugalinë dhe Greqinë, ku specialistët fitojnë më pak se 50,000 euro. Të gjitha këto shifra pasqyrojnë shpërblimin vjetor bruto për specialistët me pagë. Mjekët e përgjithshëm paguhen më pak se specialistët. Për shembull, specialistët fitojnë 85 për qind më shumë në MB, ku paga mesatare vjetore bruto për mjekët e përgjithshëm ishte 73,408 euro, ndërsa specialistët merrnin mesatarisht 136,375 euro.
Në vitin 2020, diferenca ishte 45 për qind në Holandë. Në Gjermani, diferenca midis specialistëve dhe mjekëve të përgjithshëm ishte shumë më e vogël, rreth 20 për qind. Ndryshimi nominal i referohet vlerave të marra kur nuk merret parasysh inflacioni. Nga ana tjetër, ndryshimi real merr parasysh inflacionin, duke ofruar njohuri më domethënëse. Pagat u rritën në terma realë në shumë vende, por ranë në disa të tjera.
Rritjet midis specialistëve (6.4 për qind) dhe mjekëve të përgjithshëm (4.8 për qind) ishin veçanërisht të forta në Hungari. Rritjen më të lartë e përfituan specialistët, ndjekur nga Sllovakia, Çekia dhe Estonia. Gjermania dhe Franca gjithashtu patën rritje të lehta në të dyja kategoritë.
Në disa vende, si Portugalia, Sllovenia dhe Britania e Madhe, pagat e specialistëve dhe të mjekëve të përgjithshëm u ulën në terma realë midis 2010 dhe 2020. Në MB, rënia ishte 1.2 për qind për specialistët dhe 0.8 për qind për mjekët e përgjithshëm. Por ndërmjet viteve 2010 dhe 2020, pagat e specialistëve u rritën më shpejt se ato të mjekëve të përgjithshëm në disa vende, duke rezultuar në rritjen e hendekut në paga sipas OECD.
Megjithatë, boshllëqet u ngushtuan pak në disa vende si Austria, Belgjika dhe Holanda ku të ardhurat e mjekëve të përgjithshëm u rritën më shumë se ato të specialistëve.
Në shumicën e vendeve, mjekët e përgjithshëm fituan dy deri në katër herë më shumë se paga mesatare në vitin 2020, ndërsa specialistët merrnin dy deri në tre herë e gjysmë më shumë. Raporti i pagave të specialistëve me pagën mesatare ishte tre ose më i lartë në pesë vende. Këto janë Irlanda (3.5), Gjermania (3.4), MB (3.3), Holanda (3.2) dhe Spanja (3). Kjo do të thotë se specialistët në këto vende fitonin të paktën tre herë më shumë se paga mesatare.
Pagat krahasohen edhe në aspektin e barazisë së fuqisë blerëse (PPP). Kjo eliminon efektin e diferencave të nivelit të çmimeve midis vendeve. Pagat e specialistëve në PPP ndryshojnë shumë, dhe renditja ndryshon nga ajo për pagat nominale. Në vitin 2020 ose viti më i afërt me të dhënat e disponueshme, pagat e specialistëve në terma PPP varionin nga 33,835 € në Letoni në 136,010 € në Gjermani. Boshllëqet në PPP midis vendeve janë më të ngushta në krahasim me diferencat në pagat nominale, por ato ende ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme. Pra, paga e bazuar në PPP (vlera reale) në Gjermani ishte katër herë më e lartë se ajo në Letoni. Në Turqi, çuditërisht, paga e specialistëve me bazë PPP ishte më e lartë se ajo e Suedisë, Norvegjisë dhe Francës në vitin 2020.
Kjo është edhe arsyeja pse mjekët shqiptarë duan të ikin masisvisht dhe të punojnë në Gjermani. Është ajo që pritej: pasojë e mungesës së një vizioni që të rinjtë e kualifikuar ta ndërtojnë dhe të shohin të ardhmen në vendin e tyre. Sot kërkohen mjekët në Gjermani dhe ata që kanë një profesion si mekanik, bojaxhi, hidraulik elektricist etj, por nëse nesër do të kërkohen edhe të rinjtë me profesione të tjera, do të jetë po aq e vështirë për t’i ndalur.






