Ankesat e maturantëve lidhur me vështirësitë që ata hasën në testin e Matematikës, të shoqëruara me protesta nga ana e tyre për dy ditë me radhë, duket se nuk ranë në vesh të shurdhët.
Ministrja e Arsimit Evis Kushi njoftoi se pas analizimit të detajuar të testit u vendos të pranohej kërkesa e maturantëve për uljen e kufirit minimale të pikëve për çdo notë.
Me anë të një video-mesazhi të publikuar në faqen e vet në Facebook ministrja Kushi bën me dije gjithashtu se pas përfundimit të të gjitha provimeve, nga ana e Ministrisë së Arsimit do të bëhet një analizë e thellë, me qëllim rishikimin e plotë të të gjithë Maturës Shtetërore.
“Ne në Ministrinë e Arsimit ngritëm një grup pune të pavarur, të përbërë nga ekspertë të fushës së matematikës dhe maturantë, që kanë analizuar me detaje çdo pyetje në test, shkallën e vështirësisë dhe përputhshmërinë me programin.
Nisur nga shqetësimet e maturantëve, mësuesve, prindërve dhe duke konsideruar vitin pandemik, ku pavarësisht se maturantët kanë qenë në shkollë, veç 10 bashkive të kuqe, kemi vendosur të plotësojmë kërkesën e maturantëve për uljen e kufirit minimale të pikëve për çdo notë”, tha ministrja Kushi.


