7 Janar 2019

Beteja vazhdon!



A kanë të drejtë studentët që protestojnë?

Që prej kohës që tarifat e shkollimit u rritën (2014), paratë e mbledhura nga studentët, ku shkuan? Kjo rritje e tarifave a e justifikon shërbimin që marrin ata? Pra, kur tarifat ishin më të ulëta, çfarë ndryshoi në sistem që ato u rritën? Dhe që prej vitit 2014 bëhen 4 vite që kanë hyrë në fuqi tarfiat e larta, ku kanë shkuar këto parë të studentëve? A është bërë ndonjë investim? Nëse po, ku? A kanë sot studentët në universitete laboratorë? A kanë ambiente ku të zhvillojnë në praktikë dijet që marrin në mësim? A kanë biblioteka?
A është rritur ekonomia shqiptare që prindërit të mund të përballojnë tarfiat e larta të shkollimit të fëmijëve të tyre?

Të gjithë e pranojmë që familjet shqiptare po kalojnë një periudhë shumë të vështirë ekonomike. Shumë janë të papunë, në disa familje punon vetëm kryefamiljari, në disa të tjera vëllai jashtë Shqipërisë. Tarifës së shkollimit shtoji këtu edhe tarifën e jetesës në Tiranë, si qeranë, ujin, dritat, ushqimin, librat, rrobat dhe kjo pastaj kthehet në një mision të pamundur për prindërit. Sidomos nëse një student dëshiron të vazhdojë të thellojë njohuritë e tij në fushën ku kërkon të specializohet duke vazhduar nivelin e dytë të studimeve, pra Master-in.

TARIFA TË KRIPURA, dhe për cfarë? Për të bërë një kurrikul thuajse të ngjashme me atë te nivelit Bachelor dhe për të marrë si përfundim një diplomë e cila njihet dhe shërben vetëm për tu punësuar në Shqipëri sepse nuk njihet në vend tjetër. Madje, nëse dëshiron të vazhdosh të jetosh në Shqipëri je I detyruar ta ‘blesh’ këtë diplomë sepse pa të nuk të shikon askush seriozisht për të filluar punë.

Studentet kërkojnë PËRGJYSMIM TË KËSAJ TARIFE, dhe këtë absolutisht me të drejtë!

Pse studentët nuk duhet të ndalen?

Frika, kjo është ajo çfarë e mban një popull urtë. Por jo studentët, që sot më shumë se kurrë kanë në dorë shumë gjëra, jo vetëm në pjesën e arsimimit por edhe të së ardhmes të këtij vendi.

Studentët sot kanë një mijë arsye për të protestuar.
Kjo protestë nuk duhet të ndalet, por duhet të vazhdojë më tej. Studentët duhet të kërkojnë nga ministria “vetting” për pedagogët. Dihen nga të gjithë, por askush nuk guxon të ngrejë zërin sepse nuk gjen dot të drejtën, që ka pafund histori të pedagogve që përpara auditoreve, përpara studentëve kërkojnë lekë për provimet. Dhe kjo situatë është tepër e rënduar në Elbasan, Korçë e Vlorë. Madje, atje studentët detyrohen të mos shkojnë në universitet por në punë të ndryshme, me qëllim që të mbledhin paratë dhe të paguajnë provimet, sepse pedagogët këtë u kërkojnë. Edhe kur kërkon rivlerësim të fletës së provimit, ke presion pafund nga pedagogu.

Epo kjo nuk durohet më!

Duhet të ngrihet një grup i posaçëm nga Ministria e Arsimit, për kontrolle të vazhdueshme mbi njohuritë e pedagogëve, për diplomat e tyre, për sjelljen e tyre, për integritetin dhe aftësinë e tyre.

Të mos flasim për raste të pedagogëve që detyrojnë studentët të blejnë librat e tyre, apo ua marrin “haraçin” në mënyrë më të rafinuar, duke i detyruar që ata të marrin kurse private nga vetë pedagogu. Shumë të tjerë nuk shkojnë as në auditore të japin mesim, arsye për të cilën paguhen, por dërgojnë atje asistentët e tyre. Ka edhe nga ata që vijnë në universitete vetëm në kohën e sezonit të provimeve, me qëllim “vjeljen” e studentëve.

Kjo është më e pakta. Një student sot përballet me burokracinë e sekretareve në universitete, përballen me “ligjet” e shumta të rregulloreve të brendshme që janë bërë për t’ua nxirë jetën studentëve. Ambientet e universiteteve janë mbushur me të paaftë të cilët janë aty se kanë paguar, prej partisë ose se kanë një mik të fortë.

A është kjo protestë politike?

Partiake jo, politike po, sepse vetë politika e çoi situatën në këtë pikë.
Tashmë dihet nga çdokush që vetë studentët, pasi mbarojnë shkollimin detyrohen të përballen me injorancën e administratës shtetërore. Nuk mund të gjejnë vende pune dhe në këtë vend mbeten pa të ardhme. Zgjidhja e vetme mbetet ikja nga ky vend dhe më besoni, vitet e fundit kanë ikur nga Shqipëria shumë mjekë, studentë mjekësie, infermierë. Pse? Sepse këtu nuk ka asnjë mundësi për të ndërtuar një familje, një jetë. Shumë të tjerë e kanë braktisur shkollimin dhe janë kthyer në shtëpitë e tyre, sepse nuk kishin lekë për të përballuar shkollimin, një e drejtë që u takon të gjithëve.

Prandaj, studentët sot protestojnë që kjo politikë të mos e cojë këtë vend akoma më shumë drejt boshatisjes nga rinia, studentët protestojnë që në fund ata të qëndrojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në këtë vend, të çojnë përpara këtë vend! Studentët nuk po luftojnë vetëm për veten e tyre, studentët po luftojnë për Shqipërinë!

Pra siç e shohim protesta e studentëve nuk ka vetëm për qëllim tarifën, kushtet më të mira në auditore apo konvikte, por ka për qëllim të bëjë njëhere e mirë NDRYSHIMIN E MADH NË ARSIMIN SHQIPTAR!

Zëri i studentit duhet të dëgjohet në çdo cep të Shqipërise, duhet të jetë cështja kryesore e 2019, sepse 2019 është viti I studentëve.

Sheshi Nënë Tereza është një nga sheshet më të bukur të Shqipërisë, është sheshi simbol i Universitetit, dhe ka emin e njeriut simbol të Paqes , pra është sheshi i studentit! Aty Studentet janë sovranë, aty studentët duhet të bëjnë që zëri I tyre të depërtojë pertej bulevardit të Kryeministrisë, përtej Ministrisë së Arsimit, përtej Parlamentit, Presidentit, përtej Rektorëve dhe Dekanëve të çdo universiteti dhe fakulteti, përtej ndërkombëtarëve! Nje zë i fortë nga Korpusi Universitetar është zëri i Studentit, është zëri i ndryshimit!


Na ndiqni në rrjetet tona sociale për të qënë gjithmonë të informuar:


Shkruani mendimin tuaj për protestën e janarit(sygjerime):