Në tre vitet e fundit rreth 8% e mjekëve veterinerë kanë emigruar nga vendi me qëllim punësimin jashtë. Në total, në vend numërohen 1,220 mjekë veterinerë.
Presidenti i Urdhrit Profesional i Mjekëve Veterinarë, Ervin Resuli, në një takim me gazetarët pohoi se pjesa dërmuese e veterinerëve emigrojnë drejt shteteve, si: Anglia, Gjermani dhe Zvicra, për shkak të lehtësisë në njohjen e diplomës.
Në 3 vitet e fundit, janë larguar për t’u punësuar jashtë në shërbimin veteriner, mesatarisht 25 deri 30 veterinerë në vit.
“Janë të shumta kërkesat për dhënien e referencave me qëllim punësimin e mjekëve veterinerë drejt vendeve të Bashkimit Europian. Ndër shtetet ku mbetet kërkesa më e lartë për t’u punësuar janë Anglia, Gjermania dhe Zvicra pasi nuk është e nevojshme njehsimi i diplomës, duke iu njohur diploma shqiptare”.
Resuli rekomandoi me qëllim uljen e numrit të larguarve në emigracion institucionet shqiptare duhet të ndërhyjnë me masa stimuluese për rritjen e pagave dhe përmirësimit të kushteve në mbrojtje të kësaj kategorie gjatë ushtrimit të profesionit. Sipas tij paga e veterinerëve në institucionet shtetërore varion nga 60,000 lekë deri 78,000 lekë në muaj.
Pavarësisht rënies së numrit të krerëve të bagëtive, sipas Resulit nevojat e vendit për mjekë veterinerë nuk duhet të kalojnë numrin mbi 2,000. Pra rritja e kuotave për të diplomuarit në këtë profesion nuk shihet si një masë frenuese ndaj largimit të kësaj kategorie të profesionistëve.
Pranë Urdhrit Profesional të Mjekëve Veterinare janë të regjistruar 800 veterinerë nga 1,220 që është numri total i tyre, duke përfshirë edhe të punësuarit pranë institucioneve shtetërore.


