Njëzëri për “Veting në Arsim” të rektorëve/ dekanëve dhe përgjegjësve të departamenteve/shërbimeve!
A kanë garanci studentët që nëse kthehen në auditore rektorët, dekanët dhe shefat e departamenteve do zbatojnë ligjin dhe kodet e sjelljes, nuk do shpërdorojnë paranë publike, nuk do rekrutojnë staf pa vlera akademike dhe nuk do japin diploma pa vlerë në tregun e punës dhe që nuk njihen nga BE? Sigurisht që JO. Janë pikërisht rektorët/dekanët dhe shefavt/përgjegjësit e departamenteve/shërbimit që sigurojnë që në auditore të mos ketë profesorë pa diplomë, profesorë që kanë tituj akademik fallco, plagjiaturë dhe të marrë me mashtrime, apo profesorë që kërkojnë para dhe favore seksuale për provime. Prandaj studentët dhe stafi elitë në universitete duhet njëzëri të kërkojnë VETING të rektorëve, dekanëve dhe shefave të shërbimit/departamenteve si hapi i parë i procesit të reformimit të arsimit të lartë. Vetingu sigurisht nuk mund të bëhet nga persona që janë brenda sistemit universitar, as nga ministria apo qeveria që janë po aq përgjegjës për gjendjen e degraduar në arsimin e lartë. Vetingu i drejtë që garanton transparencë mund të bëhet nga një grup studiuesish/akademikësh shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, të cilët nuk kanë asnjë konflikt interesi dhe që garantojnë një proces publik-çdo dokument dhe vlerësim të publikohet. Vetingu në arsim kërkon debat, por mund të realizohet duke marrë në konsideratë 7 elementët e propozuar nga Edmond Çata, doktorant i diplomuar në universitetet Amerikane. Dr. Çata, në platformën e tij propozon që në Vetingun e rektorëve/dekanëve dhe shefave të departamenteve të analizohen:
1. Shkollimi
2. Grada Shkencore dhe Titujt akademikë
3. Veprimtaria Shkencore
4. Aktiviteti si titullar institucioni
5. Aktiviteti pedagogjik (mësimdhënës)
6. Përgatitja metodologjiko-shkencore
7. Verifikimi i pasurisë
Pasi të mbarojë procesi i vetingut të rektorëve/ dekanëve dhe shefave të departamentëve/shërbimit, përcaktohen drejtuesit e rinj që më pas vendosin për kriteret për stafet pedagogjike sipas fakulteteve/departamenteve, ndërtojnë politikat kërkimore dhe reformën në arsimin e lartë.Vetëm më të mirët mund të garantojnë një proces cilësor!

Taulant Muka