Përshëndetje! Jam një djal që studion në një gjimnaz profesional. Me një çantë të vogël në shpinë, por me ëndrra të mëdha për të ardhmen.
Në klasën e nëntë, si çdo adoleshent tjetër, ëndërronim të ishim së bashku në një gjimnaz të përgjithshëm. Të gjithë kishim vendosur të regjistroheshim në një gjimnaz shtetëror. Isha shumë i lumtur që do të vazhdonim rrugëtimin tonë si shokë klase. Por një ditë, një mikeshë që punonte pranë një gjimnazi profesional na foli për mundësitë që ofron arsimi profesional. Falë atij shpjegimi, vendosa të ndryshoj drejtim dhe të regjistrohem në një gjimnaz profesional.
Kur fillova klasën e dhjetë, shumë u çuditën nga zgjedhja ime. “Si ka mundësi,” thoshin, “që një djalë me nota të larta nga 9-vjeçarja të zgjedhë arsimin profesional?”Unë u vërtetova atyre që gjimnazi profesional nuk është vetëm një gjimnaz për nxënësit me nota të ulëta.Kur fillova gjimnazin unë kisha një qëllim e cila duhej që përmes pëpjekjeve të mia të fitoj një respekt të pa çmueshëm nga mësuesit dhe jo vetëm.Doja të provoja se gjithçka varet nga përkushtimi, se një person i cili do të mësoj nuk ka rëndësi vendi.
Kisha një moto që më udhëhiqte: përmes përpjekjeve të mia, të fitoj respektin e të tjerëve dhe të ndërtoj një të ardhme me vlera. Sot jam maturant. Ndonjëherë më kap nostalgjia, dhe kujtoj me mall ato ditë kur ishim si fëmijë të pafajshëm, kur pa e ditur, që kisha nisur një rrugë plot sakrifica. Një rrugë që do të më formonte si njeri.
Vitet e gjimnazit janë të paharrueshme. Shoqëria që krijon, momentet e thjeshta, të qeshurat, gjithçka mbetet në zemër. Matura për mua nuk është thjesht një cikël që mbyllet me një diplomë, por mbyllja e një kapitulli të rëndësishëm dhe hapja e një tjetri – më sfidues, më i vërtetë. Është koha kur, me krahët e rinj që kemi rritur, duhet të fluturojmë drejt ëndrrave tona, duke kaluar çdo sfidë që jeta na vendos përpara.
Ethet e maturës kanë nisur, por dua t’i them çdo maturanti: mos lejoni që stresi t’ju ndalojë. Merreni me qetësi, besoni në veten tuaj, dhe mos harroni se gjithçka do të shkojë mirë.






