Lufta Rusi-Ukrainë ka rritur ndjeshëm çmimet e naftës në treg. Në Kosovë, litra e naftës për herë të parë ka kaluar mbi 1.6 euro, ndërsa në Shqipëri rreth 2 euro. Dhe për më keq, çmimi mund të vazhdojë të rritet. Por ka edhe vende ku furnizimi me naftë është parajsë e vërtetë.
Sipas faqes së specializuar për çmimet e derivateve në botë “GlobalPetrolPrices”, në Iran një litër naftë mund të blihet për më pak se 1 cent. Më saktë, sipas të dhënave të fundit të kësaj faqe të përditësuara më 28 shkurt, para 8 ditësh, litri i naftës në Iran ka kushtuar 0.009 euro. Sipas kërkimit në “google” del se çmimi në këtë vend është ende i njëjtë. Sipas kësaj, me paratë e një kafeje që paguani në Prishtinë (1 euro) në Iran mund të mbushni dy rezervuare të veturës me naftë, duke llogaritur se zënë nga 50 litra. Pas Iranit, nafta më e lirë mund të blihet në Venezuelë, për 2.2 centë.
Irani e Venezuela janë ndër prodhuesit e mëdhenj të naftës më botë. Naftë nën 1 euro mund të blihet edhe në 85 shtete të tjera. Nafta më e shtrenjtë, sipas kësaj faqeje, shitet në Hong-Kong, ku litri kushton 2.14 euro. Po ashtu, edhe benzina mund të lihet për pak centë në vendet si Venezuela e Irani. Në Venezuelë, litri i benzinës kushton 2.2 centë, në Libi 2.9 centë e në Iran 4.6 centë. Në Rusi, litri i benzinës më 28 shkurt kushtoi 4.3 centë, kurse i naftës 4.4 centë. Në Ukrainë, vend i sulmuar ushtarakisht nga Rusia, litri i naftës më 28 shkurt ishte 1.02 euro, kurse i benzinës 1.05 euro. Hong-Kongu është më i shtrenjti edhe sa i përket benzinës, pasi një litër kushton 2.45 euro, pak më shtrenjtë se në Shqipëri.


