Të dashur nxënës!
Në kuadër të përgatitjeve me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, Ministria e Arsimit dhe Sportit organizon konkursin “Dhurata Për Mësuesin Tim”.
Ju ftojmë që të shprehni sa më bukur urimin e kësaj feste, frymëzuar nga mësuesit tuaj, përmes një punimi artizanal, kënge, pikture, skulpture, poezie, kartoline ose krijimi tjetër për të cilin keni talent.
Ky konkurs gjithëpërfshirës ka qëllim që, mbështetur edhe nga programi i ri i arteve dhe zejeve në shkollat tona, të gjithë nxënësit e talentuar të mund të shprehin respektin, mirënjohjen dhe dashurinë për mësuesit, duke vlerësuar cilësitë më të mira tek ta, apo edhe një premtim ose thjesht disa fjalë të ngrohta për punën e tyre të palodhur.
Punimet e përzgjedhura do të postohen në këtë faqe në datat 16-20 shkurt, të ndara në 3 albume të ndryshme sipas klasave (klasat 1-5, klasat 6-9, klasat 10-12). Emocioni që përcjell krijimi, ngjyrat e përdorura, bukuria e shkrimit, origjinaliteti dhe fantazia sipas mënyrës së gjithsecilit, janë kriteret që do të vlerësojë paraprakisht komisioni i ngritur në MAS.
Krijimet që do të marrin më shumë pëlqime (nga persona realë) në secilin album do të përcaktojnë fituesit e konkursit të cilët, së bashku me mësuesit e tyre, do të jenë pjesëmarrës në eventin final të datës 7 mars, të mbushur plot me surpriza dhe dhurata.
Aplikimin për krijimin tuaj dërgojeni në linkun: https://forms.gle/cdawXPawZszr9ScN6
Data e fundit e pranimit të aplikimeve është 13 shkurt (ora 20:00).
Suksese të gjithëve!❤️
#DhurataPërMësuesinTim✍🏻


