Ka nisur nga sot procesi i plotësimit të formularit A1, përmes të cilit nxënësit përcaktojnë lëndët me zgjedhje për provimet e Maturës Shtetërore 2026.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, përmes një mesazhi informues, u është drejtuar maturantëve duke theksuar rëndësinë e këtij vendimi, teksa nënvizoi se zgjedhja e lëndëve ndikon drejtpërdrejt në orientimin akademik dhe studimet e mëtejshme
Mendojeni mirë këtë vendim të rëndësishëm, këshillohuni me mësuesit tuaj dhe me prindërit, sepse zgjedhja që bëni sot do t’ju orientojë drejt fazës tjetër të studimeve tuaja. Për ata që nuk janë maturantë të këtij viti, por të viteve të mëparshme, është formulari A1Z, i njohur edhe ky për të gjithë ata që ndjekin procesin. Por mirë është ta kujtojmë që për këtë të dytin, ka vetëm dy data në dispozicion. Kemi postuar dhe kemi bërë të njohur për të gjithë aplikuesit sipas drejtorive rajonale arsimore: Në datën 2,3 dhe 4 në Tiranë, Durrës dhe Fier. Në datën 5,6 dhe 9 në Korçë dhe në Lezhë do të jenë të gjithë në dispozicion për t’ju asistuar, për t’ju ndihmuar, që nga mësuesit, drejtuesit e shkollave, drejtuesit e zyrave arsimore dhe të drejtorive rajonale”,-tha Kumbaro.
Për maturantët e viteve të mëparshme, aplikimi me formularin A1Z do të zhvillohet në datat 10-11 shkurt, ndërsa Drejtoritë Rajonale Arsimore, zyrat arsimore dhe shkollat janë në dispozicion për të ofruar asistencë gjatë të gjithë procesit të aplikimit.


