Në të gjitha shkollat e mesme të vendit kanë nisur tashmë përgatitjet finale për provimet e Maturës Shtetërore 2023. Përgjatë gjithë këtij muaji, maturantët do të zhvillojnë konsultime më mësuesit e lëndëve, në lidhje me temat në të cilat gjatë procesit përgatitor kanë hasur vështirësi.

Në ndihmë të maturantëve, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka zbardhur tashmë edhe modelet se si do të jenë tezat e provimit për tre lëndët e detyruara (gjuhën e huaj, matematikën, gjuhën shqipe dhe letërsinë), si dhe lëndën me zgjedhje (kimi, biologji, ekonomi, filozofi-sociologji, fizikë, histori, gjeografi, qytetari-psikologji), të cilat gjenden online në faqen zyrtare të Qendrës së Shërbimeve të Arsimit. Modele, të cilat orientojnë në lidhje me strukturën se si do të jetë testi i secilës lëndë, numrin e pyetjeve, sa prej tyre do të jenë vetëm me alternativa dhe sa me shtjellim, skemën se si do të bëhet vlerësimi me pikë i përgjigjeve, etj.

Konkretisht, lëndët e provimeve të maturës 2023 për shkollat e arsimit të mesëm të lartë janë: 3 provime të detyruara, përkatësisht në lëndët Gjuhë shqipe dhe letërsi, Matematikë, dhe Gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje nga lista zyrtare e 8 lëndëve të miratuara nga MAS. Testet e provimeve të detyruara dhe të provimit me zgjedhje do të hartohen, administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA). Maturantët dhe kandidatët që rezultojnë mbetës në provimet e sezonit të qershorit, i rijapin provimet në sesionin e dytë të vjeshtës.

Ekspertët këshillojnë që pasi të merrni testin, duhet të kontrolloni me kujdes gjendjen fizike të testit (është i palexueshëm, mungon ndonjë faqe, etj), si dhe nëse është lloji i testit që ka kërkuar në formularin A1/A1Z. Nëse vërehen parregullsi kërkoni test tjetër, duke plotësuar një deklaratë për marrjen e testit tjetër.

Testi për secilin nga provimet e detyruara dhe lëndën me zgjedhje do të ketë në përmbajtje 32-36 pyetje. Sipas skemës së përcaktuar nga MAS, 20 prej pyetjeve të secilës lëndë do të jenë me alternativa, ndërsa pjesa tjetër do të jenë me zhvillim. Pyetjet me alternativa do të vlerësohen me 1 pikë secila.

Në pyetjet me alternativa do të duhet të rrethoni vetëm shkronjën përbri përgjigjes së saktë. Nëse rrethoni më shumë se një alternativë, ose nuk rrethon asnjë alternativë do të vlerësoheni me 0 pikë. Për shkak të alternimit të pyetjeve në teste, edhe korrigjimi do të zhvillohet i kombinuar, ku për pyetjet me alternativa do të përdoret korrigjimi digjital, ndërsa pyetjet me zhvillim do të korrigjohen nga mësuesit.

Çdo test do të vlerësohet me 60 pikë maksimale, ndërkohë që për të qenë kalues, maturanti do të duhet të sigurojë detyrimisht 25 për qind të totalit të këtyre pikëve maksimale. Në të kundërt duhet t’i japë sërish provimet në sezonin e vjeshtës, duke humbur kështu të drejtën e konkurrimit përgjatë raundit të parë të pranimeve në universitete.

Autoritetet e dikasterit të arsimit sqarojnë se provimet e detyruara do të mbështeten vetëm në kurrikulën bërthamë. Programet orientuese të provimeve të detyruara (Gjuhë shqipe dhe Letërsi, Matematikë, Gjuhë e huaj) për të gjithë maturantët/kandidatët janë në përshtatje me programet ekzistuese të arsimit të mesëm të lartë. Ndërsa programet orientuese të lëndëve zgjedhje janë të njëjta për të gjithë maturantët që kanë plotësuar formularin A1 dhe A1Z. Programi orientues i lëndëve me zgjedhje përmban programin e lëndës bërthamë dhe atë me zgjedhje.

Përzgjedhja e pyetjeve për hartimin e testeve përfundimtare të provimeve të maturës do të bëhet përmes teknologjisë digjitale, nga specialistë të caktuar me urdhër të QSHA-së. Përzgjedhja e pyetjeve për hartimin e testeve të bëhet në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit brenda ambienteve të izoluara të kësaj qendre.

Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Brendshme dhe Posta Shqiptare do të organizojnë transportin e materialeve të provimeve, ruajtjen e mjediseve në shkolla, në QSHA dhe në qendrat e vlerësimit të testeve. Format e bashkëpunimit mes tyre përcaktohen në marrëveshjen e përbashkët të dy ministrave përgjegjës dhe të administratorit të Postës Shqiptare.