Sot nis viti i ri akademik 2021-2022. Pas më shumë se një viti mësimi online studentët rikthehen në auditore, por me një kusht, studentët dhe pedagogët duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit,  një vërtetim që kanë kryer të paktën një dozë ose testin PCR për të hyrë në auditore.Sipas rektorit të Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, rreth 50 për qind e studentëve janë vaksinuar kundër Covid.

Pjesa e studentëve që nuk janë vaksinuar nuk e kanë opsion mësimin online, duke rrezikuar kështu vitin nëse nuk kanë një nga dokumentet e mësipërme.

Sipas Hoxhës, studentët që vijnë për herë të parë në universitet kanë edhe numrin më të madh të të vaksinuarve.

Gazetarja e Ora News, Anxhela Celibashi, raporton se çdo studenti që i drejtohet auditoreve i kërkohet në hyrje të të Universiteteve të paraqesë certifikatën e vaksinimit, vërtetim nga mjeku që e ka kaluar Covidin apo e ka të pamundur vaksinimin, ose test PCR negativ.Sa i perket kuotave, 3912 studentë janë regjistruar në Universitetin e Tiranës dhe janë ende rreth 1200  vende të tjera në programe të ndryshme.

Këtë vit Universiteti i Tiranës kthen ciklin e doktoraturës pas shume vitesh mungesë, duke ju kthyer kështu normalitetit.