5.4% e të punësuarve në vend marrin më shumë se 120 mijë lekë në muaj, sipas statistikave të INSTAT për vitin 2021. Gjatë vitit të shkuar, 32.7% e kontribuuesve në kategorinë e të punësuarve me pagë marrin një pagë mesatare mujore bruto deri në nivelin e pagës minimale zyrtare.
Në vitin 2021, grup-profesionet më të paguara janë: Menaxherët, Ligjvënësit, nëpunësit e lartë të administratës shtetërore dhe drejtorët ekzekutivë; Specialistët me arsim të lartë (profesionistë); dhe Teknikët dhe specialistët në zbatim.
Ndërsa grup-profesionet me pagë nën nivelin mesatar janë: Punonjës të kualifikuar të bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit; punëtorët e profesioneve elementare; dhe zejtarët, artizanët dhe profesione të lidhura me to.
Në vitin 2021, paga mesatare bruto për një të punësuar me pagë në Shqipëri është 57.191 lekë. Krahasuar me vitin 2020, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në Shqipëri u rrit me 6,6%. Paga mesatare mujore bruto është mbi nivelin mesatar për aktivitetet ekonomike si: Aktivitetet Financiare dhe të sigurimit, informacioni dhe komunikacioni, administrata publike dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale.
Ndërsa aktivitetet ekonomike me pagë poshtë nivelit mesatar janë: Tregtia me shumicë dhe me pakicë; riparimi i automjeteve dhe motoçikletave; transporti dhe magazinimi; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor; dhe bujqësia, silvikultura dhe peshkimi.
Hendeku gjinor në paga është 4,5%.
Hendeku gjinor në paga është më i theksuar mes punonjësve që janë të punësuar në ndërmarrjet që i përkasin grup-aktivitetit ekonomik “Industria nxjerrëse; përpunuese; energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar; furnizimi me ujë; aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, rehabilitimit”, ku arrin vlerën 29,4%. Për vitin 2021, paga minimale zyrtare është 30.000 lekë.


