Pavarësisht kushteve të krijuara nga pandemia e Covid-19, maturantët që duan të studiojnë jashtë përgjatë vitit të ri akademik do të marrin në kohë Diplomën e Maturës Shtetërore, për të vijuar më tej procedurat e aplikimit për studimet në universitetet jashtë vendit.

Në vazhdën  e informimeve në lidhje me realizimin e provimeve të maturës së këtij viti, drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit, Rezana Vrapi, ka konfirmuar pak më parë se kjo kategori maturantësh do të jenë të parët që do të pajisen me diplomën që konfirmon zyrtarisht mbarimin e shkollës së mesme.

“Brenda datës 30 qershor i gjithë procesi i Maturës Shtetërore 2020 është i përfunduar, e të gjitha rezultatet do të jenë të publikuara, dhe me datën 1 korrik ne do të fillojmë me procesin e printimit të diplomave. Ky printim do të realizohet në dy faza. Në fazën e parë do të printohen diplomat për të gjithë maturantët të cilët dëshirojnë të studiojnë jashtë vendit. Më pas në ditët në vijim do të përmbyllet procesi i printimit të diplomave për pjesën tjetër të maturantëve. Pra edhe një herë bëj me dije se në datën 1 korrik maturantët që do studiojnë jashtë do kenë në duar diplomën e shkollës së mesme”, bën me dije Rezana Vrapi.

Më tej, ajo ka shpjeguar edhe skemën se si do të korrigjohen provimet e detyruara dhe lënda me zgjedhje. Duke qenë se këtë vit testimet do të jenë vetëm me alternativa, korrigjimi do të bëhet digjital, çka pritet të shkurtojë edhe kohën e daljes së përgjigjeve, ndryshe nga sa ndodhte me korrigjimet manuale të realizuara përgjatë maturave të shkuara.

Në ditën e testimit maturantët duhet të jenë shumë të kujdesshëm gjatë plotësimit të testit. Pasi të gjejnë dhe të shënojnë në test alternativat e duhura për çdo pyetje, maturantët duhet të plotësojnë më pas edhe fletën e përgjigjeve. Në të kundërt testi nuk mund të korrigjohet nga pajisja digjitale. “Pasi të kenë përfunduar me plotësimin e pyetjeve të sakta në test, nxënësit janë të detyruar që t’i hedhin përgjigjet edhe në atë që quhet fletë-përgjigje. Më pas kjo fletë do të administrohet nga QSHA dhe do të procesohet përmes skanerëve që do të shkurtojë kohën e korrigjimeve”, ka theksuar Vrapi.

Aktualisht maturantët po vijojnë me përgatitjet në kushtet e shtëpisë për provimet e detyruara si dhe lëndën me zgjedhje. Ndërkohë që me datën 18 maj, duke respektuar të gjitha këshillat dhe udhëzimet e kërkuara nga dikasteri i Shëndetësisë, do të rikthehen në shkollë për të realizuar konsultimet finale me mësuesit e secilës lëndë që do të zhvillohet në provimet e Maturës Shtetërore 2020.