Ish-ministri i Arsimit Myqerem Tafaj, ka propozuar që pas shtyrje së vitit akademik për studentët në Shqipëri, për shkak të koronavirusit, duhet të ishte shoqëruar me paketë mbështetëse për ta.

“Nëse MAS ka arritur në konkluzionin që situata ka krijuar kushte të pabarabarta për studentët, duhet të reagohet me masa mbështetëse. Janë bërë dy paketa, se di a do ketë të tretë. Sot u diskutua buxheti. Gjermania dha 150 euro për çdo nxënës të familjeve që nuk kanë mundësi ekonomike.Si ka mundësi që nuk u dha mbështetje për studentët. Urdhri thotë që studentët do të vazhdojnë online dhe pastaj do të vinë me 25 gusht këta që nuk përfundojnë diplomën këtë vit, nëse është 35 gradë temperatura kjo është histori tjetër. Do bëjnë pjesën e praktikave që ka mbetur.Urdhri duhet të ishte me paketë mbështetëse”, ka thënë Tafaj në RTV Ora.

Ndërkohë, për vendimin e Ministrisë së Arsimit për kthimin e maturantëve në shkolla për provimet, Tafaj e cilësoi atë si të vetmen zgjidhje dhe korrekte.

“Për maturantët nuk kishte zgjidhje tjetër. Provimet duhet të bëheshin vetëm në shkolla. Është zgjidhje korrekte dhe jam optimist se do të funksionojë”, u shpreh ish-ministri i Arsimit Myqerem Tafaj.