Informacion për procesin e kërkesës për kopje dhe rivlerësim të testit të Maturës Shtetërore

Pas shpalljes së rezultateve paraprake të të gjitha provimeve të Maturës Shtetërore, maturanti/kandidati ka të drejtë të kërkojë kopjen e testit përmes portalit e-Albania. Kjo kërkesë mund të bëhet për një ose disa nga provimet e zhvilluara. Aplikimi kryhet duke zgjedhur shërbimin përkatës në e-Albania dhe duke plotësuar të dhënat e nevojshme.

Pasi QSHA trajton kërkesën, kopja e testit dërgohet në llogarinë personale të maturantit në e-Albania, në seksionin “Dokumentet e mia”.

Pasi pajiset me fotokopjen e testit, maturanti/kandidati ka të drejtë të paraqesë një kërkesë për rivlerësim, në Komisionin Shkollor të Maturës Shtetërore (KSHMSH) të shkollës ku është regjistruar. Komisioni mbledh të gjitha kërkesat dhe i shqyrton përmes mësuesve të lëndës, të cilët analizojnë vetëm pyetjet e ankimuara. Nëse konstatojnë nevojë për rivlerësim, testi i kalon QSHA-së.

QSHA realizon rivlerësimin me të njëjtat procedura dhe rregulla si vlerësimi fillestar, duke sekretuar testet me barkod. Pas rivlerësimit, rezultati përfundimtar mund të mbetet i njëjtë, të rritet ose të ulet. Rezultatet përfundimtare pas këtij procesi publikohen në portalin zyrtar.