MASR publikon raportin

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka publikuar sondazhin mbi mëismin online. Në këtë sondazh thuhet se telefoni ka qenë mjeti më i përdorur për zhvilluar mësimet online. “Rreth 95.7% e nxënësve (nga të cilët 36.6% në fshat dhe 59.1% në qytet), 96.8% e prindërve (nga të cilët 31.1% në fshat dhe 65.7% në qytet) dhe 95.9% e mësuesve (nga të cilët 45.8% në fshat dhe 50.1% në qytet) zhvillojnë mësimin në kushtet e shtëpisë duke përdorur telefonin smart (celular). Ndërkohë, për të zhvilluar detyrat apo testet gjatë mësimit në kushtet e shtëpisë, 2.2% e nxënësve përdorin tabletët, 1.2% e nxënësve përdorin laptopët dhe 0.9% e nxënësve përdorin kompjuterët”. Sakaq mësohet se në këtë sondazh kanë marrë pjesë 120.926 nxënës; 75.783 prindër; 22.881 mësues. Më tej thuhet se sondazhi është realizuar nga klasa e parë deri në atë të 12-të.

Në materialin e publikuar thuhet se gjatë periudhës në të cilën është kryer sondazhi nr 2, pjesë e mësimit online në kushtet e shtëpisë ka qenë edhe vlerësimi i nxënësit, si një nga komponentët më të rëndësishëm të kurrikulës. “Nga të dhënat e grumbulluara rezulton se 96 % e nxënësve shprehen “Shumë dakord” dhe “Dakord” se vlerësohen nga mësuesit gjatë procesit të mësimit online. Kjo e dhënë përputhet dhe me të dhënat e kategorisë së mësuesve, pasi 91.5% e tyre pohojnë se kanë kryer vlerësime për periudhën e dytë gjatë mësimit online në kushtet e shtëpisë. Lidhur me realizimin e testeve/ detyrave përmbledhëse apo të detyrave krijuese/hulumtuese të portofolit në kushtet e shtëpisë, rezulton se 98.3% e nxënësve i kanë kryer ato. Rreth 88.4 % e nxënësve pohojnë se mund t’i përfundojnë detyrat gjatë mësimeve të zhvilluara përmes komunikimit online dhe 91.8% e prindërve janë në dijeni të faktit se fëmijët e tyre kanë marrë vlerësim online nga mësuesit. Në përfundim të periudhës së dytë të vitit shkollor janë realizuar tri vlerësimet e kësaj periudhe. 97.3% e mësuesve deklarojnë se i kanë përfunduar këto vlerësime, i kanë diskutuar me nxënësit dhe prindërit, si dhe i kanë dorëzuar në drejtorinë e shkollës”.

Sondazhet janë kryer përkatësisht në datat 22-26 mars 2020 dhe sondazhi i dytë në datat 4-7 prill 2020.