Tiranë, Qershor 2025 – Ministria e Arsimit dhe Sportit nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar (AKAP) shpall nisjen e procedurave të aplikimit për programin “Mësues për Shqipërinë” 2025. Ky program synon përzgjedhjen dhe punësimin e mësuesve të rinj në institucionet arsimore publike të vendit.
Afatet e Aplikimit
Procesi i aplikimit kryhet në platformën e-Albania, në shërbimin “Aplikim për konkurrim për punësim si mësues”. Aplikimet do të zhvillohen në dy faza:
02 – 16 Qershor 2025: për të gjithë kandidatët që zotërojnë licencën e mësuesit.
13 – 23 Qershor 2025: për ata që kanë dhënë provimin e licencës në maj 2025 ose janë në proces licencimi.
Udhëzime për Aplikantët
Kandidatët duhet të aplikojnë në DRAP-in (Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar) që përkon me vendbanimin e tyre të përhershëm dhe mund të zgjedhin deri në 3 ZVAP-e ku dëshirojnë të punësohen. Aplikimi mund të bëhet për disa profile në rastet kur kandidati zotëron më shumë se një licencë.
Gjithashtu, aplikantët mund të shprehin interes për pozicionin si “Mësues në dispozicion” apo “Arsim special”, përveç profilit të tyre bazë.
Dokumentacioni i Nevojshëm
Kandidatët kanë detyrim të ngarkojnë në platformë dokumentet e mëposhtme (sipas rastit):
Diploma dhe lista e notave
Libreza e punës (nëse kanë përvojë)
Dëshmi të kualifikimeve dhe trajnimet me kredite
Dëshmi të njohjes së gjuhëve të huaja
Kujdes: Mungesa e dokumenteve të detyrueshme sjell përjashtimin automatik nga konkurrimi.
Faza e Vlerësimit dhe Testimit
Procesi përbëhet nga tri faza kryesore:
1. Vlerësimi i dosjeve: Nga 8 – 27 Qershor 2025. Kandidatët kanë të drejtë ankimi nga 1 – 3 Korrik. Rezultatet përfundimtare të kualifikimit shpallen deri më 10 Korrik.
2. Testimi i informatizuar: Zhvillohet brenda datës 25 Gusht 2025, ndërsa rezultatet shpallen deri më 31 Gusht. Ankesat mund të bëhen brenda 3 ditëve nga marrja e rezultatit.
3. Lista përfundimtare: Publikohet më së voni deri në 2 Shtator 2025, me renditjen e kandidatëve.
Për Çdo Paqartësi…
Aplikantët mund të kontaktojnë DRAP-in përkatës për çdo sqarim në adresat zyrtare të emailit të publikuara në dokumentin e njoftimit.






