Shkak për protestën është bërë ndryshimi i kriterit për të marrë bursë
Pas studentëve të fakultetit të Mjekësisë, ditët e sotme studentë e Filologjikut janë ngritur në protestë, duke kundërshtuar vendimin e fundit të Ministrisë.
Shkak për protestën është bërë ndryshimi i kriterit për të marrë bursë në moment të fundit, teksa studentët kanë bojkotuar mësimin duke u grumbulluar në oborrin e fakultetit prej orës 8.
Kujtojmë se vitin e kaluar është miratuar një VKM, e cila detyronte qeverinë të mbeshtesë studentet me mesatare 8.5 e sipër, të cilët regjistrohen në një degë që konsiderohet prioritet kombëtar me 400 mijë lekë të vjetra në muaj (pagë minimale) si stimul për regjistrimin në atë degë.
Këtë vit u tha nga Evis Kushi (gjatë kohës që ishte ministre) se do të hiqet komplet kriteri i mesatares, por më pas VKM u ndryshua, duke bërë që vetëm një pjesë e vogël e studentëve të regjistruar të përfitojnë nga bursa.
Kujtojmë se studentët e mjekësisë janë duke protestuar që prej datë 10 tetor, kur nisi dhe viti i ri akademik, për të kundërshtuar vendimin e qeverisë që i detyron ata të punojnë për 5 vite në vendin tonë pas diplomimit, në të kundërt do të paguajnë tarifën e plotë të studimit.






