Degët e Ekonomikut dhe Juridikut vijojnë të tërheqin shumicën dërrmuese të studentëve, edhe pse tregu është mbingopur për këto profesione.Por të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë për disa tendenca interesante të rritjes së interesit për të studiuar në degët që menaxhojnë shëndetin si Mjekësia dhe Infermieria, si dhe Inxhinieri, gjatë vitit akademik aktual 2021-2022. Nga ana tjetër, për degën më të madhe të Ekonomisë, Bujqësinë, jo vetëm që janë të interesuar shumë pak nxënës që të ndjekin studimet, por numri i tyre po bie me shpejtësi.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në këtë vit akademik kryejnë studimet bachelor 123,880 studentë, një rritje 0.1% në raport me vitin e kaluar, po me një rënie 6% në raport me vitin akademik 2017-2018. Brenda numrit të përgjithshëm të studentëve në disa degë ka rritje të numrit dhe në disa të tjera ka rënie drastike.

Në këtë vit akademik, rritjen më të madhe të numrit të studentëve e pati fusha e studimit “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” me rreth 22 mijë studentë, me një rritje 10% në raport me një vit më parë dhe 20% me katër vite më parë.

Fusha e dytë me rritjen më të lartë vjetore të numrit të studentëve ishte “Shëndet dhe Mirëqenie”. Degët e mjekësisë dhe infermierisë po tërheqin një numër të madh studentësh nisur nga perspektivat më të mira të punësimit jashtë vendit.

Nga ana tjetër, gjatë një viti akademik po shihet një rënie e fortë në fushat e arsimit, bujqësisë dhe shkencave natyrore.

INSTAT zbuloi se në këtë vit akademik, numri i studentëve pësoi rënien më të madhe (19%) për “Bujqësinë, pyjet, peshkimin dhe veterinarinë”. Pas bujqësisë, rënia më e madhe vjetore ishte për degët e shkencave sociale dhe gazetarisë me 10.4%. Në shkencat natyrore në sektorin shërbimeve pati gjithashtu rënie të numrit të studentëve.