Sot në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu shpall vitin 2024 si “Viti i Gjuhës Shqipe”.

 Sot në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu shpall vitin 2024 si “Viti i Gjuhës Shqipe”.

Sipas saj me këtë vendim tregohet rëndësia që arsimi dhe gjuha shqipe kanë në zhvillimin e identitetit kombëtar. Ajo tha se do të ketë akvtivitete me nisma dhe projekte që do të nisin në vijim dhe do të zgjasin gjatë gjithë vitit.

“Si Ministri e Arsimit dhe Sportit, kemi vendosur që viti 2024 të jetë një vit kushtuar gjuhës shqipe. Do të kemi një kalendar të pasur aktivitetesh, me nisma dhe projekte që do të fillojnë këtë vit dhe gjithashtu me projekte të cilat i finalizojmë së bashku në shkolla, universitete, brenda dhe jashtë vendit, si dhe me pjesëmarrjen e diasporës shqiptare në botë.”, tha Manastirliu duke renditur aktivitetet më të rëndësishme të këtij viti kalendarik dedikuar, ruajtjes dhe pasurimit të gjuhës shqipe.


Aktivitetet do të kulmojnë me 22 Nëntor në Ditën Kombëtare të Alfabetit Shqip.

“Do të kemi aktivitete promovuese në nëntor për Ditën e Alfabetit Shqip, e cila për herë të parë do të jetë festë zyrtare në vitin 2024, pra në këtë vit. Të mos harrojmë asnjëherë se, gjuha nuk është thjesht një mjet komunikimi por mbi të gjitha është një simbol i unitetit dhe fuqisë tonë ripërtëritëse si komb”, tha Manastirliu.

Në kuadër të ditës Ndërkombëtare të Arsimit, ministrja tha se do investimet në arsim mbeten prioritet kryesor i qeverisë.