Rritja e notës mesatare vit pas viti si kusht për të aplikuar për degët e mësuesisë, po rrezikon seriozisht fakultetet e edukimit, veçanërisht ato në rrethe. Përherë e më pak maturantë kërkojnë të bëhen mësues dhe parashikimet sipas ekspertëve janë të zymta.

Ndriçim Mehmeti ia faturon këtë politikave aspak mbështetëse të Ministrisë së Arsimit. “Çfarë më garanton ti mua, që të bëhesh mësues duhen 7 vjet, se dua 3 bachelor, 2 master, stazh, sepse këta prishën ligjin. Thamë master shkencor, nuk e di pse një mësues do master shkencor. Ai do master profesional dhe të dalë në punë, pastaj në portale derisa të gjesh vend, interesi bie.

Atëherë cili është interesi i tij që të studiojë mësuesinë?!”, pyet Mehmeti duke e lidhur tërheqjen e ulët të të rinjve për mësuesinë edhe me pagesat jo të mira në arsim. “Kemi zero rritje rroge që nga viti 2013, nuk e kanë indeksuar dot çmimin. Nga 2013 nuk marrin më shpërblim”.

Faktet tregojnë që kjo e fundit është e vërtetë, ndërsa e para jo. Ndonëse në norma të ulëta e shpesh të pakënaqshme për arsimtarët, brenda këtij harku kohor, për hir të së vërtetës, ka pasur tri herë rritje të pagës së mësuesve, me 5, 7 dhe 15%, ndërkohë që ajo e radhës pritet në korrik me 6 për qind.

Pak ditë më parë ministrja e Arsimit, Evis Kushi, nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, njoftoi për iniciativa të reja për zhvillimin e programeve të mësuesisë, ashtu edhe të tjerave më pak të pëlqyera, me bursa e reduktim tarifash.