Inxhinieria Informatike është një degë që ndërthur njohuritë e teknologjisë, programimit, sistemeve kompjuterike dhe rrjeteve. Për maturantët që po mendojnë ta zgjedhin këtë program studimi, një nga pyetjet kryesore është: Çfarë mund të punoj pas diplomimit?
Mundësitë varen nga specializimi, aftësitë praktike dhe eksperienca që krijoni gjatë dhe pas universitetit. Disa nga drejtimet ku mund të orientohen të diplomuarit janë:
Software Developer – zhvillimi dhe mirëmbajtja e programeve dhe aplikacioneve.
Web Developer – krijimi dhe zhvillimi i faqeve dhe aplikacioneve web, në front-end, back-end ose të dyja.
Cybersecurity Specialist – siguria e sistemeve, rrjeteve dhe të dhënave nga kërcënimet kibernetike.
Network Engineer – projektimi, konfigurimi dhe mirëmbajtja e rrjeteve kompjuterike.
Cloud Engineer – puna me infrastruktura dhe shërbime cloud.
System Administrator – administrimi dhe mirëmbajtja e serverëve, sistemeve operative dhe infrastrukturës IT.
DevOps Engineer – automatizimi dhe integrimi i proceseve të zhvillimit dhe operimit të sistemeve software.
Database Administrator – administrimi, mirëmbajtja, siguria dhe optimizimi i bazave të të dhënave.
A mjafton vetëm diploma?
Diploma krijon bazën akademike, por në fushën e teknologjisë kanë shumë rëndësi edhe aftësitë praktike. Projektet personale, praktikat profesionale, njohja e gjuhëve të programimit, certifikimet dhe eksperienca mund të ndikojnë në drejtimin e karrierës.
Për këtë arsye, studentët mund ta shfrytëzojnë periudhën e universitetit jo vetëm për të marrë diplomën, por edhe për të ndërtuar gradualisht portofolin dhe eksperiencën e tyre.
Po ti, cilën degë dëshiron të njohësh më mirë?
Në Universiteti.info do të vazhdojmë serinë “Pas Diplomës”, ku do të prezantojmë mundësitë e karrierës për degë të ndryshme universitare.
Na shkruaj cilën degë dëshiron të publikojmë më pas.