Përqindja e të rinjve që përfundojnë arsimin bazë, por nuk vazhdojnë më tej shkollimin ose trajnimin, ka qenë në një trend të lartë në 5 vitet e fundit në vendin tonë. Grupmosha 18-24 vjeç sipas të dhënave të Institutit të Statistikave regjistroi shifrën 17.4% të lënies së shkollës për vitin 2021.

Instituti i Statistikave publikoi “Treguesit e Fëmijëve, Adoleshentëve dhe të Rinjve” për periudhën 2017-2021”.

Sipas kësaj të fundit 17.8% e meshkujve morën vendim për ta lënë shkollën në 2021. Ndërkohë numri i vajzave që lanë shkollimin pas fillores është gjithashtu në nivel të lartë, afërsisht me djemtë. 17.1% e vajzave zgjodhën në 2021 të mos shkollohen.

Përfundimi i arsimit të mesëm, edhe pse nuk garanton pajisjen me të gjitha aftësitë e nevojshme në jetë, u jep të rinjve përparësi në tregun e punës, në krahasim me të rinjtë që braktisin shkollën.

Përqindja e të rinjve 20-24 vjeç që kanë përfunduar arsimin e mesëm në vitin 2021, arrin 83% nga 78% në vitin 2017, me një diferencë të dukshme gjinore në favor të femrave.

Ndërsa përsa i përket arsimit bazë 9 vjeçar për vitin 2021-22, u regjistruan 92% e nxënësve të grupmoshës 6-14 vjeç, përkundrejt 96,5% në vitin shkollor 2017-2018, – raporton Scan.