Shqipëria është pranë arritjes së një marrëveshjeje me një rrjet universitar në Londër. Në podcast-in “Flasim”, kryeministri Edi Rama bëri të ditur se marrëveshja parashikon krijimin e një rrjeti universitetesh në disa qytete të vendit.

Sipas Ramës, bëhet fjalë për një universitet mjekësie në Fier, një universitet të përgjithshëm në Vlorë, një universitet të teknologjisë në Korçë dhe një tjetër universitet të përgjithshëm në Tiranë.

Studimet në dy prej këtyre universiteteve pritet të nisin gjatë vitit akademik 2027-2028, ndërsa në dy të tjerët gjatë vitit akademik 2028-2029.

“Me shumë gjasë, së shpejti, ne do të nënshkruajmë një marrëveshje me një nga rrjetet më të mëdha universitare të botës, i bazuar në Londër dhe pjesë e marrëveshjes është edhe plani i përbashkët për të hapur Universitetin e Mjekësisë në Fier. Universiteti mjekësor i Fierit do të jetë ndërkombëtar, me reputacion ndërkombëtar, me studentë shqiptarë dhe nga e gjithë bota. Ne jemi shumë afër, kemi filluar një proces diskutimesh dhe kemi parë një studim, një draft të fisibilitetit, është fantastik, por presim studim përfundimtar nga ana e tyre. Është investim shumë i madh që do të bëjmë, ne do të vëmë në dispozicion infrastrukturën, ata do të sjellin pedagogë, por komponent i rëndësishëm do të jetë edhe zgjedhja e pedagogëve shqiptarë që ata synojnë t’i zgjedhin jo vetëm këtu, por edhe në diasporë. Është plan goxha ambicioz. Janë 4 universitete, është universiteti i Fierit, universitet ekselence për mjekësinë. Është universiteti i Vlorës, i përgjithshëm, më i madhi ndër të 4, ambicia jonë është ta instalojmë në qendër të Vlorës, te Sheshi i Flamurit, universitet ndërkombëtar që të krijojë dinamikë të re. Një tjetër në Korçë për teknologjinë dhe inteligjencën artificiale dhe tjetri, i Përgjithshëm në Tiranë. Duam ta konkludojmë të gjithën brenda këtij viti dhe duam që të fillojë mësimi në 2 nga 4 universitetet, në sezonin 2027-2028 dhe 2028-2029, të katërt janë në funksion”, tha Rama.