1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës, e lindur nga lufta e punëtorëve për të siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës dhe të jetesës. Në qendër të origjinës së kësaj date qëndron ngjarja e sheshit “Haymarket” në Çikago në maj të vitit 1886, ku pas shpërthimit të një bombe u ekzekutuan disa punëtorë. “Do të vijë një kohë kur heshtja jonë do të jetë më e fuqishme, se zëri që ju po mbytni sot”, ishin fjalët e fundit të August Spies, një nga katër punëtorët e pafajshëm që u ekzekutuan; në incident humbën jetën tetë drejtuesit kryesorë të lëvizjes së punëtorëve. Akuzat kundër Spies dhe shokëve të tij lidheshin me veprimtarinë si militantë në luftën për të drejtat e punëtorëve dhe për vendosjen e orarit të punës prej tetë orësh.
Ngjarjet e vitit 1880 në Shtetet e Bashkuara dëshmuan se punëdhënësit përdornin mekanizmat e tyre, nga gjykatat te policia, për të shtypur protestat. Vrasjet në sheshet e Çikagos treguan përkeqësimin e situatës, ndërsa përpjekjet për ditën e punës 8-orëshe pasqyronin vendosmërinë e punëtorëve. Lëvizja mori formë më 1884, kur Federata e Tregut të Organizuar dhe Bashkimi i Punëtorëve, paraardhës i Federatës Amerikane të Punëtorëve, miratoi rezolutën që duke nisur nga 1 maji 1886 orari i punës për të gjithë punëtorët të duhej të ishte tetë orë.
Më 1 maj 1886 mbi 200,000 punëtorë u mblodhën në sheshin qendror të Çikagos dhe nisën grevat për të kërkuar këto të drejta. Gazetat i cilësuan protestat si “absurde”. Vdekja e shtatë policëve gjatë protestave, që kishin nisur prej disa ditësh, ishte shkaku i reagimit të Policisë së Çikagos ndaj lëvizjes. Si pasojë e një bombe të hedhur gjatë trazirave u vranë udhëheqësit kryesorë të federatës së punëtorëve, dhe maji u shndërrua në muaj përkujtimi të përpjekjeve të tyre.
Tre vjet pas ngjarjeve të Çikagos, në 1889 Internacionalja e Dytë Socialiste në Paris vendosi që 1 Maji të kremtohej si dita e bashkimit, luftës dhe solidaritetit të punëtorëve në mbarë botën.





